Armend Zemaj brenda pak ditësh largoi nga pozita dy njerëz të rëndësishëm të shëndetësisë kosovare që u ngritën në kohën e Partisë Demokratike të Kosovës.
Dr. Basri Sejdiu dhe Dr. Naim Bardiqi u larguan nga pozitat që mbanin si drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, përkatësisht sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë, brenda një kohë të shkurtër nga ardhja e Armend Zemajt si ministër, shkruan Gazeta Shneta.
Dr. Sejdiu u emërua drejtor i SHSKUK’së në mars të vitit 2018, ndërsa Dr. Bardiqi si sekretar në gusht të po atij viti. Që të dy emërimet erdhën në kohën kur Ministrinë e Shëndetësisë e udhëhiqte ministri nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili.
Sejdiu u shkarkua nga bordi aktual i SHSKUK’së, sipas këtyre të fundit, për performancë të dobët, teksa një vendim i tillë u përshëndet publikisht nga ministri Zemaj në një konferencë për media.
Madje, në adresimi e tij, Zemaj e bëri përgjegjës të parë Sejdiun për vdekjen e dyshimtë të pacientëve që ndodhi një javë më parë në Klinikën Infektive.
“Shkarkimi i drejtorit Basri Sejdiu është vendim për t’u përshëndetur dhe duhet të përcillet me veprime konkrete për të vënë drejtësi dhe për të qartësuar situatën e krijuar. Ne do të jemi transparent dhe do të kërkojmë transparencë të plotë në mënyrë që të mos krijohen paqartësi tek qytetarët”, ka deklaruar Zemaj.
Zemaj: Shkarkimi i Basri Sejdiu vendim për t’u përshëndetur, duhet vënë drejtësi
Në anën tjetër, Dr. Bardiqi u pezullua direkt nga Ministri Zemaj, për sipas tij, raste konkrete të parregullsive dhe përmbushje jo e kënaqshme e detyrave të punës.
“Në ushtrimin e funksioneve të mija si Ministër i Shëndetësisë, gjatë kësaj periudhe kam vërejtur raste konkrete të parregullsive, përmbushjes jo të kënaqshme të detyrave të punës për të cilat është përgjegjës zyrtari i përcaktuar në dispozitiv të këtij vendimi, monitorim jo të duhur të proceseve të rëndësishme për punën dhe përgjegjësitë e ministrisë së shëndetësisë e për të cilat përgjegjës është pozicioni i sekretarit të përgjithshëm.
Proceset e tilla kanë të bëjnë, por pa u kufizuar vetëm në këto, me monitorim dhe koordinim të dobët të procesit të prokurimit, monitorimit dhe koordinimit të dobët të procesit të zhvillimit dhe zbatimit të Programit e Planit Legjislativ, dështim në sigurimin e zbatimit të ligjit përmes tejkalimit të afateve ligjore për emërimin e zyrtarëve në pozitat e ushtruesve të detyrave, procese të parregullta të avancimeve e gradimeve, tejkalim të përgjegjësive e autorizimeve ligjore në lidhje me prokurimin në rastet e blerjes së produkteve medicinale të imunizimit”, thuhet në arsyetimin e vendimit të ministrit aktual.
Gjithsesi, bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës vendosi një person politik si ushtrues detyre i drejtorit me Dr. Valbon Krasniqin, i cili në zgjedhjet e fundit kandidoi për deputet të Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë së Zemajt, Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Zemaj ndërkohë, ende nuk ka caktuar askë në pozitën e sekretarit. /Gazeta Shneta/