Ministria e Shëndetësisë e ka nisur keq procesin e specializimeve i cili ka munguar që pesë vite. Keq për faktin se një anëtare e Bordit për Specializime është larguar nga kjo pozitë, ndërsa në Komitete janë emëruar anëtarë që janë nën hetime nga Oda e Mjekëve, mjekë pa tituj akademik e shkencor, dhe nuk është respektuar Udhëzimi Administrativ
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj më datën 7 korrik ka nënshkruar vendimin për emërimin e Bordit Qendror për shkollim specialistik me përbërje: Labinot Shahini, kryesues, Milazim Gjocaj, Gloria Staka, Rozafa Koliqi, Serbeze Kabashi, Bedri Braha, Albiona Rashiti, Albana Morina, Florije Rexhepi dhe sekretarja teknike Fahrije Merovci.
Por nuk kanë shkuar as dy javë dhe një nga anëtarët është larguar nga kjo pozitë. Bëhet fjalë për Rozafa Koliqin, e cila e ka lënë BQS-në për shkak të pakënaqësive ndaj procesit, shkruan Gazeta Shneta.
BQS nisi menjëherë me themelimin e komiteteve specialistike, por kjo u bë me një proces që po del të jetë në kundërshtim me ligjin për faktin se nuk janë emëruar përfaqësuesit e odave, janë emëruar mjekë pa tituj akademik e shkencor si dhe janë vendosur anëtarë që janë nën hetime nga organet e hetuesisë së shtetit dhe Odës së Mjekëve.
Gazeta Shneta ka siguruar emrat e katër komiteteve, por vetëm për njërën prej tyre posedojmë dokumentin zyrtar. Komiteti i Radiologjisë me onkologji radiologjike përbëhet nga Kreshnike Dedushaj, Emine Disha, Arben Kutllovci, Bujar Gjikolli dhe Agim Bregaj. Kujtojmë se Gjikolli është nën hetime nga Oda e Mjekëve të Kosovës për rastin e kontrastit në Klinikën e Radiologjisë.
Në këtë komitet nuk është emëruar edhe përfaqësuesi i dërguar nga Oda e Mjekëve të Kosovës.
Por MSH thotë se ka respektuar Udhëzimin Administrativ 05/2017, konkretisht nenet 4,5 dhe 6. Sipas MSH-së në komitete janë emëruar nga një përfaqësues nga odat përkatëse. Madje sipas tyre janë respektuar edhe kriteret duke emëruar profesionistë të lëmive përkatëse siç kërkohet me UA sipas titujve.
E arsyetimi i MSH-së pse në BQS nuk ka asnjë anëtar të odave të profesionistëve shëndetësorë është: “Të gjithë mjeket që janë të emëruar në BQS në të njëjtën kohë janë edhe anëtarë të Odës së Mjekëve. Me ligj, asnjë mjek nuk mund ta ushtrojë profesionin e tij në Kosovë pa qenë anëtar i regjistruar i OMK dhe pa i kryer obligimet ndaj saj”.
Por këtë e ka demantuar kryetari i Odës së Mjekëve Dr. Pleurat Sejdiu. Ai ka thënë se OMK nuk është kontaktuar nga MSH për Bordin Qendror të specializimeve.
“BQS ka kërkuar propozimet për anëtar të Komiteteve specialistike, të cilat edhe i kemi dërguar bazuar në kriteret e përcaktuara me UA. Përkundër që BQS është dashur të konfirmoj apo refuzoj kandidat të cilët nuk plotesojnë kushtet e përcaktuara me UA, OMK nuk ka pranuar asnjë informatë. Fatkeqësisht, BQS ka bërë shkeljet e para ligjore në këtë proces, që e dëmton që në fillim. Këshilli Drejtues i OMK ka konstatuar shkeljet ligjore të cilat do i drejtohen MSH për anulim të këtij Procesi në start i kompromituar”, ka deklaruar Sejdiu.
Pretendimet e MSH-së ai i ka quajtur manipulime dhe gënjeshtra duke thënë se Neni 6 i UA05/2017 e përcakton shumë qartë se vetëm odat duhet të propozojnë emrat e anëtarëve të komiteteve. Sejdiu thotë se Bordi është i detyruar të respektojë propozimet e tyre dhe në rast se ndonjë nuk i plotëson kriteret atëherë duhet të kërkojë zëvendësim.
“Neve si palë propozuese pra palë e tretë në proces as që kemi qenë të informuar deri në këtë moment përbërjen e Komiteteve. Por, përmes burimeve të ndryshme neve kemi marr 3 nga këto vendime ku në asnjërën nuk janë përfaqsuesit e OMK, kryetar Komitetesh janë emëruar persona që as që janë pjesë e katedrave të FM. Janë persona të cilët janë nën hetime si nga organet e OMK-së ashtu të gjyqësisë shtetërore. Pra BQS ka bërë shkelje flagrante dhe të cilat në vehte përbëjnë keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autoritetit zyrtar me implikim financiar”, ka deklaruar Sejdiu.
Edhe kryetari i Odës së Stomatologëve Dr. Blerim Kamberi ka deklaruar se nuk është kontaktuar për përfaqësim në BQS, ndërsa është respektuar vetëm propozimi i tyre për kryetar të Komitetit Specialistik.
Në anën tjetër Oda e Farmacistëve thotë se përkundër hezitimeve ndaj këtij procesi, i kanë dërguar propozimet për komitete për deri më tani nuk kanë marr asnjë njoftim nga MSH.
“Ne kemi rezervat tona përsa i përket transparencës në emërimin e anëtarëve të këtij bordi, dhe veçanërisht bazës ligjore të UA 05/2017”, ka deklaruar kryetari i OFK-së Arianit Jakupi. Ai ka thënë se bashkë me odat tjera kanë kërkuar aprovimimin e UA të ri për specializime i cili do të ishte në harmoni me Ligjin për shëndetësi dhe Ligjin për odat e profesionistëve shëndetësorë. /Gazeta Shneta/