Policia e Kosovës po vazhdon me gjobitjen e qytetarëve për mos mbajtje të maskave në kundërshtim me rekomandimet e ekspertëve.
Viktimë e gjobës ka rënë edhe një infermiere e Klinikës Infektive. Shqipe Kadriu ka bërë të ditur se Policia e ka gjobitur derisa ishte ecur vetëm dhe duke hyrë në banesën e saj, shkruan Gazeta Shneta.
Kadriu ka treguar ngjarjen kur një mike e saj me veturë e kishte dërguar deri te banesa e saj. Ajo ka thënë se posa ka dal nga vetura, e ka lëshuar maskën nën nofull dhe derisa po hynte në banesë është ndaluar nga Policia dhe ndonëse ua ka shpjeguar situatën, policët ia kanë shqiptuar gjobën prej 35 eurove.
Edhe infermieri i Klinikës së Gjinekologjisë Liburn Dema është gjobitur para dy ditësh nga Policia, pasi nuk kishte vendosur maskë derisa ishte në veturë me bashkëshortën dhe fëmijët e tij.
Ligji anti Covid ka hyrë në fuqi para dy javësh, i cili parasheh gjoba 35 euro për mos vendosje të maskës, por nuk specifikon se kur qytetarët mund të mos mbajnë maska.
Ndërkaq në rekomandimet e CDC-së amerikane qytetarët nuk rekomandohen të mbajnë maska kur janë në veturë me familjarë të ngushtë. /Gazeta Shneta/