Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar Saudin Maliqi, ka dhënë një deklaratë skandaloze gjatë ditës së sotme.
Maliqi është duke zëvendësuar ushtruesin e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së Valbon Krasniqi, pasi ky i fundit u sëmurë me Covid-19. Gjatë ditës së sotme Maliqi ka folur në një intervistë për RTV Dukagjini, ku ka deklaruar se së shpejti do të zgjidhet problemi me furnizimin me oksigjen, transmeton Gazeta Shneta.
Por në këtë intervistë Maliqi ka folur më tepër si përfaqësues i operatorit ekonomik, sesa si ushtrues detyre i drejtorit të SHSKUK-së. Ai ka thënë se një kompani private është duke bërë përgatitjet e fundit për të prodhuar oksigjen në Kosovë dhe sipas tij kjo do ta zgjidh problemin e furnizimit të spitaleve me oksigjen medicinal.
“Këtë problem ne e kemi zgjedhur dhe besoj dita e hane ka me qit Kosovën me këtë problem të zgjidhur. Nga java e ardhshme nuk do të kemi problem me oksigjen sepse janë në procedura të kryera të licencimit të një kompanie e cila prodhon në Kosovë oksigjen në sasi të mjaftueshme për Kosovën”, ka deklaruar Maliqi, duke folur në emër të operatorit ekonomik, i cili ende nuk është licencuar nga Agjencia për Pajisje dhe Produkte Medicinale.
Kjo deklaratë e Maliqit vjen në kohën kur SHSKUK e ka një procedurë të hapur për furnizim me oksigjen ende në proces të ofertimit nga operatorët ekonomikë, duke lënë kështu të kuptohet se cila kompani do ta fitojë tenderin.
Njoftimi për këtë kontratë është publikuar më 4 nëntor dhe pritet të përfundojë më 27 nëntor.
Ndërkaq një procedurë tjetër emergjente është anuluar në mungesë të ofertuesve. Deklaratën e Maliqit mund ta ndiqni nga minuta 44:00. /Gazeta Shneta/




