Këshilltari i ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj është emëruar në Komisionin e SHSKUK-së për përzgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm në konkursin që është shpallë më 25 nëntor.
Diellor Rizaj është këshilltar në kabinetin e ministrit Zemaj. I njëjti ishte emëruar si përfaqësues i MSH-së në Bordin Drejtues të SHSKUK-së, shkruan Gazeta Shneta.
Rizaj tani është emëruar edhe në Komisionin për përzgjedhjen e drejtorit të SHSKUK-së, në konkursin e shpallur më 25 nëntor. Konkursi fillimisht kishte qenë i hapur 15 ditë, ndërsa me vendim të Bordit është shtyrë edhe për 15 ditë të tjera sipas Ligjit për Zyrtarët Publik.
Në këtë komision janë edhe kryesuesi i Bordit Dr. Xhevat Jakupi, si dhe anëtarët tjerë Vjollca Kadolli-Halili, Haki Smajli dhe Ismet Berisha.
Në të njëjtën kohë këshilltari i ministrit Zemaj, Diellor Rizaj, i është nënshtruar edhe konkursit për punësimin e specialistëve në QKUK. Rizaj është kandidat për punësim në Klinikën e Reumatologjisë.
Gazeta ka kërkuar sqarime nga SHSKUK nëse emërimi i këshilltarit të Zemajt si zyrtar politik, në Komisionin për drejtorin e SHSKUK-së, është konflikt interesi, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Në rregulloren Nr. 06/2020 “Për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së Kryeministrit dhe ministrive” të Qeverisë së Kosovës, këshilltarët politik dhe këshilltarët e jashtëm, nuk kanë të drejt të ushtrojnë funksione që ndërlidhen me menaxhimin e shërbimit civil.
Neni 22 për Këshilltarët Politik, pika 1.2. thotë: “Të ushtrojë çfarëdo funksioni tjetër, që ndërlidhet me menaxhimin e shërbimit civil”.
Kurse Neni 28 për Këshilltarët e Jashtëm, pika 2 thotë: “Këshilltari i jashtëm politik nuk ushtron kompetenca drejtuese ose kompetenca të tjera administrative”. /Gazeta Shneta/