Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka dal me një reagim pas arrestimit të një punonjësi nga Policia e Kosovës, për marrjen e ryshfetit për kryerjen e testeve PCR.
Instituti ka deklaruar se ky person nuk është punëtor i këtij institucioni dhe nuk është laborant.
“Personi i arrestuar ka qenë duke punuar si personel mbështetës në punë administrative me kontratë të përkohshme në tre muajt e fundit me afat të caktuar në IKSHPK i kontraktuar si pjesë e projektit të Bankës Botërore për të përkrahur shëndetësinë e Kosovës në përballje me pandeminë COVID 19”, thuhet në sqarim.
Reagimi i plotë nga IKSHPK:
NJOFTIM PËR MEDIA
IKSHPK njofton se personi i arrestuar sot nga Policia e Kosovës në ambientet e punës të IKSHPK-ës në dyshimin për kryerje të veprës penale të korrupsionit, nuk është staf dhe aq me pak laborant i IKSHPK-së.
Personi i arrestuar ka qenë duke punuar si personel mbështetës në punë administrative me kontratë të përkohshme në tre muajt e fundit me afat të caktuar në IKSHPK i kontraktuar si pjesë e projektit të Bankës Botërore për të përkrahur shëndetësinë e Kosovës në përballje me pandeminë COVID 19.
Pa paragjykuar procesin e hetimeve në këtë rast, IKSHPK ofron mbështetje të plotë zbatimit të ligjit si dhe mbetet si gjithmonë e përkushtuar për të punuar në mënyrën sa më profesionale të mundur.
Ky rast nuk mundet në asnjë mënyrë të zbeh punën kolosale të personelit të IKSHPK në luftimin e pandemisë me COVID-19 gjatë gjithë vitit 2020.