QSUT ka shkarkuar nga detyra mjekun e Urgjencës Ilir Allkja. Vendimi është marrë gjatë ditës së sotme nga drejtori Enkelejdi Joti me arsyetimin se Allkja ka shkelur etikën e punës duke publikuar materiale konfidenciale përmes komunikimeve të tij në rrjetin social Facebook si edhe në media.
Në vendimin që mban kokën “Për ndërprerje të menjëhershme të marrëdhënieve të punës”, QSUT i referohet rregullores së funksionimit të spitalit, ku ndër të tjera theksohet se stafi është i lirë të shprehë mendimet e tij në publik, por duhet të ruaje konfidencialitetin e punës dhe të mos sulmojë institucionin përmes komenteve dhe opinioneve.
Madje, në letrën e shkarkimit thuhet se komentet dhe opinionet e stafit nuk duhet të paraqiten si reagime zyrtare të institucionit.
Allkja denoncoi fillimisht mungesën e pajisjeve të posaçme për trajtimin e të sëmurëve me koronavirus duke bërë që të reagonte edhe vetë kryeministri Rama gjatë një konference për shtyp.
Gjatë këtyre muajve, mjeku i Urgjencës është konfliktuar publikisht edhe me eprorin e tij Skënder Brataj për çështje që kanë të bëjnë me mënyrën se si menaxhohen urgjencat.
Në 24 dhjetor, Allkja mori paralajmërim për pushim nga puna për të njëjtat problematika.
Mjeku në një postim të tij në Facebook ka thënë se është shkarkuar nga puna pasi kërkoi më shumë siguri për shëndetin e tij dhe të kolegëve.
“Në dhjetor të 2020-ës unë pushohen nga puna sepse jam shprehur publikisht se QSUT ka një administratë të paaftë që nuk po mbron shëndetin e pacientëve, sepse kam deklaruar që ministria e shëndetësisë ka menaxhuar keq krizën e pandemisë SARS-COV2.
Në vendimin e pushimit tim nga puna,
këto deklarata i kanë klasifikuar si “përhapje paniku dhe dizinformim”.
Unë kam deklaruar se drejtori i QSUT nuk ka një CV të pubkike, nuk ka një edukim adekuat, dhe se nuk është i denjë për të qenë drejtues i atij institucioni.
Në vendimin e pushimit linçuesit e mij këtë deklaratë e kanë klasifikuar sulm ndaj drejtuesve të institucionit.
Më akuzojnë se jam shprehur publikisht për probleme të institucionit, por harrojnë se QSUT është institucion publik, që financohet nga taksat e shqiptarëve, duhet t’ju shërbejë atyre, dhe çdo inxhinier, arsimtar, gazetar është i lirë të kërkojë përmirësime, ndryshime e madje të kritikojë!”, ka shkruar ai.