Gjykata Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë padinë qesharake të drejtorit të Radiologjisë në QKUK, Bujar Gjikolli, ndaj gazetës online për shëndetësi “Gazeta Shneta.
Gjikolli kishte parashtruar padi ndaj Gazetës Shneta për artikullin me titull “Hetime në Radiologji për dyshimet mbi aplikimin e gabuar të kontrastit për rezonancë” të publikuar në shkurt të vitit 2020.
Ky artikull ishte bazuar mbi hetimet që Prokurori i Odës së Mjekëve të Kosovës kishte nisur ndaj Gjikollit, në lidhje me dyshimet për gabim profesional në përcaktimin e protokollit të dozimit të kontrastit tek pacientët.
Akuzat për gabim profesional fillimisht ishin ngritur nga operatori ekonomik “Amicus”. Kjo kompani i kishte dërguar një letër SHSKUK-së në fund të vitit 2019, ku kishte ngritur shqetësimin se Gjikolli kishte përpiluar një protokoll të dozimit të kontrastit në mënyrë të gabuar pasi sipas tyre pacientëve iu injektohej përgjysmë më pak kontrast sesa duhej.
Në fakt këtë gabim e kishte pranuar edhe vet Gjikolli në një prononcim për media ku kishte thënë se pas marrjes së udhëzuesit nga operatori ekonomik, e kishte kuptuar se kishin dhënë më pak kontrast tek pacientët dhe këtë protokoll e kishte përmirësuar.
Gazeta Shneta në këtë proces ka qenë e përfaqësuar nga Shoqëria e Avokatëve “Ramaj, Palushi, Hajdaraj, Salihu – Attorneys at Law”.
Në aktvendimin e Gjykatës bëhet e ditur se padia e Gjikollit është hedhur poshtë si e palejueshme pasi ka tejkaluar afatin ligjor.
Kryeredaktori i Gazetës Shneta, Bujar Vitija, e ka quajtur këtë padi si një përpjekje për të penguar lirinë e mediave për raportimet në shëndetësi.
“Gjykata Themelore sot ka hedhur poshte nje padi qesharake te drejtorit te Radiologjise ndaj Gazetes Shneta per nje artikull ku flitej rreth hetimeve per dyshimet mbi aplikimin e gabuar te kontrastit.
Pasi kishte pranuar vet gabimin per kete rast dhe nuk u ndermorr asnje mase ndaj tij nga SHSKUK dhe as nga Keshilli Etik i OMK-së, Gjikolli morri edhe guximin te parashtroj nje padi ndaj Shnetes.
Ne fakt ishte veç nje perpjekje e turpshme per te penguar Gazeten per te raportuar mbi parregullesite qe kane ndodhur ne kete klinike prej se ai eshte drejtor. Padia u parashtrua bash ne kohen kur eshte kerkuar auditim i brendshem per kete klinike, pas raportimeve te Shnetes.
Nuk mundesh edhe me bo biznes edhe me qene drejtor ne klinike. Mundesh, por pastaj do te shkarkohesh. Mjekeve qe e keqperdorin profesionin e tyre ne sherbim te operatoreve ekonomike duhet t’ju vije fundi ne QKUK”, ka deklaruar Vitija.