Drejtori i Laboratorit Mikrobiologjik në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, Dr. Xhevat Jakupi, ka deklaruar se teste PCR për testimin e qytetarëve për Covid-19 ka mjaftueshëm.
Jakupi ka thënë se gjatë vikendit ka pasur më pak interesim për testim, dhe kjo ka bërë që të ketë një rënie të numrit të të testuarve, shkruan Gazeta Shneta.
“Teste ka mjaftueshëm. Jemi duke testuar të gjithë ata persona që kanë nevojë dhe që paraqiten për testim. Si duket gjatë festës dhe vikendit ka pasur më pak të interesuar”, ka deklaruar mikrobiologu.
Ai ka bërë të ditur se sot janë pranuar 60 mijë teste RT PCR në IKSHPK.
Dje dhe sot janë hedhur akuza në drejtim të Qeverisë dhe IKSHPK-së për rënien e numrit të të testuarve. Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu ka deklaruar se kjo rënie e numrit të të testuarve është mashtrim nga Qeveria për të paraqitur situatën epidemiologjike më mirë.
Ndërsa deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj ka thënë se rezultatet e ditëve të fundit të IKSHPK-së janë të modeluara, në mënyrë që të ketë lehtësim të masave pas datës 18 prill. /Gazeta Shneta/