Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka shkarkuar nga detyra Nora Krasniqin dhe Ardian Rugoven.
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka shkarkuar nga pozita kryeinspektoren e Inspektoratit Shëndetësor, Nora Krasniqin, si dhe kryeshefin e Agjencisë për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Ardian Rugoven, shkruan Gazeta Shneta.
Krasniqi dhe Rugova kanë mbajtur këto pozita në cilësinë e ushtruesit të detyrës. Në vend të Rugoves, Gazeta ka mësuar se është emëruar Arian Ahmeti.
Rugova ka deklaruar se nuk është shkarkuar nga kjo pozitë, por thjesht është rikthyer në pozitën që ka mbajtur më herët.
“Nuk ka të bëjë me shkarkim unë isha ushtrues detyre i shefit të AKPM dhe tash në këtë pozitë është emëruar po ashtu UD Arian Ahmeti dhe unë jam kthyer në pozitën që kam pasur në AKPM marketing autoriziëm”, ka thënë Rugova.
Ndërsa në vend të Krasniqit në krye të Inspektoratit Shëndetësor është emëruar Shaban Osmanaj, i cili deri më tani ka mbajtur pozitën e u.d. kryeinspektorit farmaceutik.
Kujtojmë se për pozitën e kryeinspektorit Shëndetësor ishte hapur konkurs i brendshëm në janar të këtij viti në kohën kur MSH udhëhiqej nga ish-ministri Armend Zemaj. Osmanaj ishte një nga pretendentët në këtë konkurs. Ndryshe ai njihet edhe si person i afërt me LDK-në si dhe ish-ministrin Zemaj, të cilit i thurte lavde edhe në rrjetet sociale. /Gazeta Shneta/