Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka mbajtur një konferencë për media në sallën “1 Tetori” në Prishtinë ku sot ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë.
Vitia ka thënë se ky është një moment shumë i rëndësishëm në luftën kundër pandemisë Covid-19. Ai ka thënë se menaxhimi i pandemisë dhe ringjallja e ekonomisë janë prioritet i kësaj qeverie, transmeton Gazeta Shneta.
Vitia ka shtuar se MSH me partnerët i ka bërë përgatitjet për vaksinimin e qytetarëve në masë me vaksinën Covid-19. “Ashtu siç jemi zotuar sot po fillon ky proces. Vaksinimi në masë është jetik për arritjen e imunitetit në masë dhe rikthimit në normalitet”.
Ministri ka bërë të ditur se janë krijuar hapësira të reja dhe janë shtuar kapacitetet njerëzore me 279 ekipe në nivel vendi.
Vitia në fund ka deklaruar se do të arrihet objektivi i vaksinimit të 60 për qind të qytetarëve.
“Sot kemi kaluar shifrën e 100 mijë qytetarëve të vaksinuar dhe do ta arrijmë objektivin e 60 për qind të qytetarëve deri në fund të vitit”, ka deklaruar Vitia. /Gazeta Shneta/