Oda e Mjekëve e Kosovës ka dal me një apel publik për institucionet pas rritjes së rasteve të infektimit me variantin Delta.
OMK ka kërkuar nga institucionet që të zbatohet ligji anti Covid dhe të ketë një fushatë vetëdijësuese për vaksinim. Gjithashtu OMK i ka bërë thirrje menaxhmentit të spitaleve që të mos dëmtohen shërbimet e emergjencës dhe traumatologjisë, transmeton Gazeta Shneta.
Reagimi i plotë nga OMK:
Java e fundit ka shënuar rritjen e numrit të qytetarëve të infektuar me variantin DELTA të virusit COVID-19. Duke qenë se situata pandemike është duke eskaluar dhe se kapacitetet infrastrukturore dhe ato njerëzore nuk lejojn komoditet institucional sa i përket zbatimit të masave parandaluese, Oda e Mjekëve kërkon nga të gjitha institucionet gjegjëse publike që të vihen në zbatim të plotë të Ligjit Nr. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në Territorin e Republikës së Kosovës.
Krahas nevojës që të rritet rigoroziteti i zbatimit të plotë të Ligjit Nr. 07/L-006 Anti COVID, Oda e Mjekëve konsideron se është më se e nevojshme që institucionet përgjegjëse, qofshin ato të sistemit profesional shëndetësor apo edhe administrativ, të përfshihen në një fushatë vetëdijësuese lidhur me rëndësinë jetike për tu vaksionuar qytetarët e Republikës së Kosovës. Për të qenë efektiv procesi i vaksinimit domosdoshmërisht do të jetë e nevojshme që të menaxhohet me kujdes personeli shëndetësor, gjithëherë duke pasur parasysh që tani e dy vjet me rradhë personeli është i mbiangazhuar për tu përballë me këtë situat sfiduese.
Poashtu, menaxhmenti i institucioneve shëndetësore, kësaj rradhe duhet të ketë kujdes dhe të përdorë expertizë në sistematizimin e personelit shëndetësorë nëpër “klinikat Covid”, në atë mënyrë që të mos përsëriten gabimet e valëve të kaluara dhe të dëmtohen shërbimet e tjera të mbingarkuara si emergjencat dhe traumatologjia.
Në këtë drejtim, kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës që menjëhere të filloj zbatimin e nenit 20 të Ligjit Nr. 07/L-006 Anti COVID.
Apelojmë popullatës së Republikës së Kosovës, se tani mbi të gjitha është prioritare ruajtja e shëndetit publik dhe “shëndeti” i institucioneve shëndetësore dhe se kjo betejë nuk i takon vetëm punëtorëve shëndetësorë por secilit prej nesh.
Oda e Mjekëve shpreh gatishmërinë që të jap kontributin e vazhdueshëm siç e ka dhënë deri më tani, që për çfardo veprimi bashkë-institucional si dhe do të jetë përkrah personelit shëndetësor në luftën kundër pandemisë COVID-19.