Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar kanë shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së ortopedit të njohur Prof. Dr. Agron Pustina.
Në komunikatën e OMK-së thuhet se Pustina ishte një nga themeluesit e katedrës së ortopedisë në Fakultetin e Mjekësisë. OMK poashtu e kishte dekoruar të ndjerin me titullin “Nderi i Mjekut” për kontribut të veçantë në themelimin dhe zhvillimin e shërbimeve të institucioneve shëndetësore në Kosovë.
“Oda e Mjekëve të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij”, thuhet në komunikatën e OMK-së.
SHSKUK në anën tjetër e ka vlerësuar lart punën dhe kontributin e Pustinës në Klinikën e Ortopedisë.
“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, shpreh ngushëllime familjes, kolegëve, miqve dhe studentëve, me rastin e vdekjes së Prof. Agron Pustina, i cili për shumë vjet punoi si Ortoped dhe drejtor në Klinikën e Ortopedisë. Prof. Pustina dha kontribut të çmueshëm në edukimin e gjeneratave të tëra nga fusha e ortopedisë. Kujtimi për profesorin do të mbetet i përhershëm”, thuhet në telegramin e ngushëllimit nga SHSKUK. /Gazeta Shneta/




