Në mesditën e ditës së sotme, në vendin e saj të punës ka ndërruar jetë regjisorja e filmit dhe teatrit, Burbuqe Berisha.
Lajmin për këtë e ka bërë të ditur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit shkruan Gazeta Shneta.
“Jemi thellësisht të prekur nga kjo ngjarje dhe u shprehim ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë komunitetit artistik.”, thuhet në njoftim.
Bagazhi profesional i regjisores përbëhet nga një numër i konsiderueshëm i filmave, dokumentarëve, serive televizive e shfaqjeve teatrore.
Njëkohësisht, ajo ishte fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter vendor e ndërkombëtar. Së fundmi, në vitin 2018 ajo mori çmimin kombëtar për kinematografi.
“Ajo ka punuar si menaxhere në Kino ABC në Prishtinë, si producente në Kosova Film, po ashtu ishte drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së, si dhe të Ansamblit “Shota”.
Së fundi ishte pjesë e përgatitjes së regjisë për koncertin inaugurues të Operës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftim./Gazeta Shneta/





