Në Klinikën e Kirurgjisë Orale në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, janë të vendosura dy karrika apo të njohura në mjekësi – unit stomatologjik, përmes së cilave ofrohen shërbimet mjekësore orale për pacientët.
Para gjashtë viteve nga njëra klinikë në QKUK u bartë karrika për në Kirurgjinë Orale, mirëpo për tërë këto vite vetëm zuri vend në sallën operative të kësaj klinike ndërsa nuk është funksionalizuar asnjëherë.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vet drejtori i Qendrës Klinike Stomatologjike, Kastriot Meqa, i cili thekson se që nga renovimi i sallës kirurgjike, më tepër se gjashtë vite, “në këtë sallë ka funksionuar vetëm një unit stomatologjik, ndërsa tjetri asnjëherë nuk është përdorur”.
Ndonëse shkollimi specialistik për specializantët e rinj në institucionet shëndetësore në vend ka filluar dy vite më parë, në maj të vitit 2020, Meqa fajin ia vë numrin të lartë të specializantëve që si pasojë e kësaj nuk po arrijnë të kryejnë intervenime kirurgjike njëkohësisht me dy karriket.
“Në momentin e skenimit të situatës me gjendjen e unitëve stomatologjike, ky unit është paraparë që të largohet nga salla pasi që nuk është përdorur që nga fillimi, dhe se në të njejtën hapësirë për shkak të numrit të madh të specializantëve nuk mund të kryhen dy intervenime njëkohësisht”, u shpreh ai për Gazetën Shneta.
Në këtë klinikë nuk qëndron problemi vetëm tek mosfunksionimi i njërës nga unitet stomatologjike, por sipas burimeve të Gazetës Shneta nga 10 karrike sa janë në ambulantën e Kirurgjisë Orale shtatë prejt tyre kanë defekte ndërsa vetëm tri janë në gjendje më të mirë.
Mos servisimin e pajisjeve Meqa e arsyeton me mungesën e menaxherit të prokurimit të punësuar në Qendrën Stomatologjike Universitare ndërsa me marrjen e mandatit të drejtorit të ri, ai thotë se ka kërkuar nga zyrtarët e prokurimit nga ShSKUK.
“Në mungesë të menaxherit të prokurimit të punësuar në QKSUK, që nga marrja e funksionit janë angazhuar zyrtarët e prokurimit nga SHSKUK për t’i udhëhequr procedurat e ngecura nga periudhat e mëparshme, dhe nuk kemi mundur të fillojmë proceduar të reja për servisimin e pajisjeve që kanë nevojë për servisim të menjëhershëm dhe të rregullt”, arsyeton ai.
“Plani im për zhvillimin e sallave të kirurgjisë në Klinikën e Kirurgjisë Orale dhe në atë të Parodontologjisë dhe Mjekësisë Orale është që të pajisen me unite të posaçme për intervenime kirurgjike, e jo të improvizohet me unite të zakonshme stomatologjike”, tregon planet drejtori i cili mori këtë pozitë në mars të këtij viti.
Ai shton se investimi i fundit në Klinikën e Kirurgjisë Orale është bërë para 10 viteve kur edhe është bërë furnizimi me pajisjen Prozon – për aplikimin e ozonit, e për të cilin Meqa sqaron se është përdorur vetëm për qëllime të hulumtimeve shkencore e jo për punë të përditshme.
Sa i përketë listës së pritjes ai tregon se lista e pritjes për rastet jo urgjente është deri një muaj ndërsa rastet urgjente adresohen menjëherë ose më së largu për ditën e nesërme.
Klinika e Stomatologjisë në total ka 172 të punësuar staf shëndetësor e administrativ.
Mos funksionalizimin e pajisjeve apo mos servisimi i tyre nga ana e menaxhmentit të institucioneve shëndetësore është e theksuar edhe në klinika, spitale e qendra mjekësore tjera. Dje gazeta ka raportuar për mos funksionalizimin e Ortopanit apo pajisjes për fotografim të nofullës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë. /Gazeta Shneta/