UD. Drejtoresha e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu Raçi, e ka mbyllur zyrën për infermieri në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Veprim selektiv, përjashtues dhe diskriminues po e konsiderojnë mbylljen e zyrës për infermieri nga Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor në QKUK.
Përmes një njoftimi, Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor në QKUK kanë bërë të ditur se pas këtij vendimi kanë mbajtur një takim joformal me Kryeinfermierët e Klinikave të Qendrës Klinike Universitare.
“Duke e ditur rëndësinë që Departmenti i Infermierisë ka për infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor duke filluar nga planifikimi i resurseve humane deri tek edukimi i vazhdueshëm profesional për kominitetet respektive, shuarja totale dhe mbyllja e të vetmës adresë për komunitetet tona në QKUK komsiderojmë që është veprim selektiv, përjashtues dhe diskriminues”, vlerësojnë nga shoqata.
Shoqata gjithashtu njofton se në koordinim me të gjitha palët e interesit do të merren masa dhe veprime sindikale konformë veprimeve të cilat përbëjnë në vete standarde të dyfishta dhe diskriminuese.
Përmes njoftimi, ShSPSh ka kërkuar nga Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës që të kthenë në funksion Departamentin e Infermierisë në QKUK.
“Duke tentuar që t’iu shmangemi këtyre veprimeve dhe masave sindikale, Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së kërkon nga SHSKUK dhe Bordi i SHSKUK-së që të kthehet në funkcion Departmenti i Infermierisë në QKUK, trajtim të njejtë sikurse edhe për pozitat tjera të cilat do duheshin shuar, mirëpo të cilat janë ende funkcionale deri në miratim të organogramit të ri”, thuhet gjithashtu në reagim.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës do të mbetet pa zyrë për infermieri. Kjo pas vendimit të ud.drejtoreshës së SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi, që t’i largojë nga kjo zyrë ish-koordinatoren Lirije Beqiri dhe zyrtaren Aferdita Berisha.
Beqiri këtë vendim e quan ‘degradim dhe denigrim’ të punës së saj 16-vjeçare në këtë zyrë.
“Me vendim të ud. drejtoreshës unë jam caktuar në shërbimin e logopedisë, por unë nuk jam logopede. Gjitha spitalet rajonale e kanë zyrën për infermieri, vetëm në QKUK është shuar kjo zyrë. Ne kemi shumë punë me palë, me infermierë të të gjitha njësive në QKUK dhe me studentë. Sot janë ndërprerë të gjitha punët me palë. Unë nuk jam pajtuar me këtë vendim, por nuk do ta pengojë. Megjithatë do ta shfrytëzojë të drejtën time për ankesë. Ky është një denigrim dhe degradim ndaj punës time mbi 16-vjeçare në këtë zyrë”, ka deklaruar Beqiri.
Ajo thotë se pas shfuqizimit të ogranogramit në vitin 2020, ishte caktuar në rolin e Përgjegjëses për laboratorin e mikrobiologjisë klinike dhe koordinatore e shërbimit të infermierisë gjatë kohës së pandemisë Covid-19.
“Edhe në atë kohë nuk jam pajtu me atë thirrje, sepse binte në kundershtim me licencën e punës, ishte kohë pandemie edhe nuk e refuzova për shkak situatës që gjindeshim, vazhdoi prap edhe një vit e njëjta kontratë, nuk kam qenë prap dakord me këtë kontratë por prapë ishte kohë pandemie dhe vazhdova, dhe të gjitha punët dhe obligimet i kam kryer konform përshkrimit të vendit të punës!”.
“Pas shfuqizimit të organogramit, unë e kam pas një kontratë 1-vjeçare në cilësinë e koordinatores për pandeminë Covid-19 për infermieri, nga ish-drejtori. Kjo kontratë ka skaduar dhe tani ud. drejtoresha e re e ka shuar pozitën time dhe zyrën për infermieri me arsyetimin se nuk ekziston në organogram. Me shfuqizimin e atij organogrami unë konsideroj se do të duhej të qëndronte në fuqi organogrami i vjetër. Gjithashtu, pse duhet të shuhet vetëm pozita dhe zyra për infermieri, kurse pozitave të tjera ju janë nënshkruar kontratat”, ka deklaruar Beqiri.
Për vendimin e Zejnullahu-Raçit ka reaguar edhe sindikalisti Enlirat Duraku. Ai thotë se kjo është goditja përfundimtare ndaj infermierëve në QKUK.
“Shërbimi Spitalor Komik Universitar i Kosovës SHSKUK sot përfundimisht i dha goditjen përfundimtare infermierëve në QKUK duke e mbyllur edhe zyrën e vetme nga e cila menaxhohej infermieria në QKUK. QKUK si qendra më e madhe, me fluksin më të madhë të pacientëve dhe me numrin më të madh të infermierëve prej sot nuk ka një adresë se ku të drejtohen infermierët. Prej afër 20 pozitave të cilat do duhej ishin anuluar me shfuqizim të organogramit, vetëm pozicioni i Departmentit të Infermierisë është shuar dhe mbyllur sot, ndërsa të tjerat janë ende aktive, madje tek disa janë rinovuar kontratat rishtazi”, ka deklaruar Duraku. /Gazeta Shneta/