Shtatë specializantët të cilët vijnë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut pritet që së shpejti të hynë në listën e specializantëve të cilët marrin subvencione – në këtë rast nuk përfshihen rreth 70 specializantët të cilët vijnë nga Lugina e Preshevës pasi që të njejtit subvencionohen që nga fillimi i shkollimit specialistik.
Në shtator të këtij viti Qeveria e Kosovës pati marrë vendim që të vazhdohen kontratat për më tepër se 430 specializantëve me vetëfinancim, për specializantët nga Kosova.
Për vazhdimin e kontratave në të cilën përfshihet edhe subvencionimi i specializantëve me vetëfinancim Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve pati ndarë buxhetin prej 2 milion e 610 mijë e 100 euro – në këtë buxhet pritet të përfshihen edhe specializantët me vetëfinancim nga vendet e rajonit.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë, pas interesimit të Gazetës Shneta.
“Pas vendimit te Qeverisë për vazhdimin subvencionimit të specializantëve vullnetar, të njëjtit do të subvencionohen”, thuhet shkurt në përgjigjen e MSh duke mos treguar datën se kur do të fillohet subvencionimi.
Në këtë buxhet pritet të përfshihet edhe hapja e shkollimit të ri specialistik për mjekët në vend e rajon.
Specializantët me Financim të Rregullt financohen nga buxheti i ndarë për Ministrinë e Shëndetësisë ndërsa për Specializantët me vetëfinancim financimi bëhet në mënyrë vetanake apo përmes subvencioneve.
Gazeta Shneta ditë më parë pati raportuar se specializantët me vetëfinancim të cilët vijnë nga vendet e rajonit nuk subvencionohen nga Ministria e Shëndetësisë. /Gazeta Shneta/
MSh nuk ndan subvencione për specializantët nga Shqipëria, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi




