Specializantët me vetëfinancim nga tre shtetet e rajonit, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Mali i Zi nuk marrin subvencione nga Ministria e Shëndetësisë, por ata nga Lugina e Preshevës subvencionohen nga shteti i Kosovës.
Specializantja e pediatrisë, Antigona Kukaj, ishte e entuziazmuar kur filloi shkollimin specialistik në Kosovë. Nga Mali i Zi ajo vendosi të vij në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që të kryej shkollimin specialistik në korrik të vitit të kaluar, shkruan Gazeta Shneta.
Kukaj, është e vetmja shqiptare nga Mali i Zi e cila vendosi që shkollimin specialistik të kryej në Kosovë.
Por, gjerat nuk shkuan ashtu siç ajo pati planifikuar.
E pranuar si specializante me vetëfinancim ajo thotë se e ka të vështirë t’ia dal pa të ardhura financiare për arsye se asnjëherë nuk paguhet për punën që bënë.
“Nuk marrim as shtesa, as subvencione dhe nuk paguhemi as për kujdestaritë që i mbajmë”, tregon ajo për Gazetën Shneta.
Ajo thotë se është e kuptueshme që shkollimi specialistik me vetëfinancim do të thotë që shkollimi mund të kryhet përmes mjeteve vetanake por thotë se në kohën kur ka qenë i hapur aplikimi për shkollim specialistik i vetmi opsion për qytetarët e huaj ka qenë aplikimi me vetëfinancim.
“Kur i kemi nënshkru kontratat ministër i shëndetësisë ka qenë (Armend) Zemaj. Ai na ka thënë nënshkruani kontrata me vetëfinancim se me kohë rregullohet kjo çështje dhe paguheni përmes subvencioneve” – kujton ajo.
“Orarin e kam prej 7 deri në ora 2 mbasdite. Tash është ora tre unë sa dola prej sallës së operimit. Askush nuk e merr për konsideratë këtë. Askush nuk paguan për këtë” – thotë specializantja me vetëfinancim nga Shqipëria, Romina Rakipaj për Gazetën Shneta.
Ajo shprehet se në takimin e fundit me kabinetin e Ministrisë së Shëndetësisë kanë marrë premtime se së shpejti do të rregullohet kjo çështje mirëpo deri më tani nuk ka ndonjë rezultatë pozitiv.
“Unë jetoj në Kosovë. Unë e kam nis jetën në Kosovë dhe unë do të vazhdojë të kontribuoj në Kosovë’” – thekson ajo ndërsa konsideron të padrejtë që tash e më tepër se një vit nuk subvencionohet nga MSh për shkollimin specialistik njësoj sikurse kolegët e saj nga Lugina e Preshevës.
Ndarjen e subvencioneve vetëm për specializantët me vetëfinancim nga Lugina e Preshevës specializantët e konsiderojnë diskriminues.
Rreth pesë specializantë me vetëfinancim nga Shqipëria e kryejnë shkollimin specialistik në Kosovë.
Arsyetimi nga Ministria e Shëndetësisë
Rreth 50 specializantët nga Lugina e Preshës subvencionohen nga Ministria e Shëndetësisë njësoj si specializantët me vetëfinancim nga Kosova.
Nga Ministria e Shëndetësisë arysetojnë se kandidatët nga Lugina e Preshevës vinë nga një zonë ku ata janë të diskriminuar në shumë forma në vendin ku jetojnë “prandaj përmes subvencionimit ju është mundësuar qe ta kenë më të lehtë specializimin dhe më pas të kthen për të kontribuar për popullatën shqiptare që jeton në atë zonë, ndërsa edhe për specializantët në viset tjera shqiptare, është menduar që të bëhet zgjidhje dhe të njëjtëve t’u sigurohet mbështetja financiare sikur se kandidatëve nga Lugina e Preshevës”.
Ata thonë se në këtë rast MSh dhe Qeveria e Kosovës kanë shkuar një hapë më tej obligimeve dhe u ka mundësuar subvencione specializantëve nga kjo anë njësoj sikurse atyre në Kosovë.
Në anën tjetër, MSh bënë të ditur se së shpejti pritet që të gjithë specializantët të kenë përkrahje financiare nga Qeveria e Kosovës, “ nuk bëhet fjalë për kurrfarë mos përmbushje të ndonjë obligimi, përkundrazi”.
Edhe specializantët me vetëfinancim në Kosovë shpeshë herë pakënaqësit e tyre i kanë shprehur përmes protestave pasi që shpesh herë subvencionet janë vonuar. Ata poashtu janë shprehur të pakënaqur për kujdestarit që nuk paguhen dhe se MSh ende nuk ka bërë një zgjidhje.
Specializantët me Financim të Rregullt financohen nga buxheti i ndarë për Ministrinë e Shëndetësisë ndërsa për Specializantët me vet- financim financimi bëhet në mënyrë vetanake apo përmes subvencioneve./Gazeta Shneta/