Prej rreth 3 mijë e 700 lloje të barnave që janë të regjistruara në vend, dy mijë nga to importohen.
E, për t’i mbuluar nevojat e tregut farmaceutik, Kosova duhet të blejë deri 5-6 mijë sosh.
Mirëpo sipas Shoqatës së Importuesve Farmaceutikë në vend, kriza mund të thellohet edhe më shumë sa i përket furnizimit me ilaçe në këtë periudhë e tutje. Teksa bëjnë me dije se stoqet janë në fund dhe kësisoj pritet që kontrabanda e ilaçeve të rritet dhe po ashtu edhe çmimet ngase nuk do të ketë konkurrencë.
Kjo situatë pason, siç thotë Oda e Farmacistëve të Kosovës pasi që javë më parë Ministria e Shëndetësisë e futi në fuqi një Udhëzim Administrativ për barna që nuk kanë paralele, të cilat duhet të posedojnë Autorizim Marketingu dhe Certifikatë të Analizës, gjë të cilën e parasheh edhe Ligji për Produkte dhe Pajisje Medicinale.
Kreu i OFK-së, Arianit Jakupi shpjegon se me disa nga këto kritere përfshirë edhe atë të sjelljes së Certifiaktës së Analizës së produkteve mjekësorë në Kosovë do të ndikojë në ngecjen e importit, dhe qytetarëve do të iu vështirësohet qasja në barna.
Ndaj, OFK po kërkon nga MSh që të bëjë zgjidhje derisa infrastruktura ligjore të plotësohet dhe ndryshohet.
Sipas farmacistëve, Kosova është një treg i vogël dhe jo i leverdishëm për kompanitë e huaja, ndaj më 2014 UA lejonte futjen e barnave të paregjistruara në Kosovë por që vijnë nga shtetet e sigurta të BE-së. /Klan Kosova