MELODIA E NGULITUR NË MENDJE?
Shkruan: Dr. Blerim Myftiu, neurolog
Secilit prej nesh ndodh pothuajse përditë, ndonjëherë më shpesh, ndonjëherë më rrallë, ndonjëherë disa herë në ditë, që një melodi të ngulitet në mendje dhe të përsëritet spontanisht nëpër gojë, duke bërë çfarëdo pune apo duke menduar çfarëdo mendimi.
Melodia mund të ndryshojë nga një hit muzikor aktual, siç është “Flowers” i Miley Cyrus, deri te melodia e arushit Paddington apo Peppa Pigu i fëmijës suaj. Ekspozimi në melodi dhe dëgjimi i përsëritur është faktori kryesor që bën që një melodi për një kohë të caktuar të ngulitet të mendje dhe buzët tona.
Pse ndodh kjo? Cila është baza anatomike? Shkencëtarët e ndërlidhin këtë fenomen me korteksin auditiv në lobin temporal – zonë e cila e kontrollon perceptimin e muzikës – dhe me zonat e thella temporale që janë përgjegjëse për memorien. Amigdala dhe striatumi ventral – pjesët trunore të ndërlidhura me emocionet – po ashtu vihen në ndërlidhje me melodinë e përsëritur. Një artikull i vitit 2015 pohon që rrjetet trunore që kanë të bëjnë me perceptimin, emocionet, memorien dhe mendimet spontane janë të përfshira në këtë fenomen.
Këto rrjete trunore punojnë në tandem nëse një këngë e ndërlidhni me një memorie emocionale dhe kjo e shton gjasën për ngulitje. Përsëritja e melodisë zakonisht shfaqet në intervale prej 20 sekondash. Në pjesën më të madhe janë të padëmshme. Në raste të rralla mund të jenë problematike. Në persona me çrregullim obsesiv-kompulsiv, mund të paraqiten në momente të stresit dhe mund të jenë më të gjata në kohëzgjatje. Një studim japonez e ndërlidhe përsëritjen e melodisë prej disa orësh në ditë me depresionin.
Një kategori tjetër e cila emërtohet si halucinacione muzikore – kur personi mendon se është duke dëgjuar muzikë – mund të jetë simptomë e depresionit, edhe pse nuk është e konfirmuar.
Anketa amerikane e vitit 2020 ka treguar se 97% e personave përjetojnë fenomenin e përsëritjes së një melodie në një periudhë të caktuar. Çdo i pesti person përjeton së paku një herë në ditë dhe kohëzgjatja tipike është nga 10 në 30 minuta. Pjesë dërmuese është e padëmshme, prandaj sigurohuni që t’ju ngulitet në mendje një melodi e bukur, e hareshme dhe që ngjall emocione të bukura e pozitive.




