Rregullatori amerikan i barnave miratoi një vaksinë të dytë kundër virusit sincicial të frymëmarrjes (RSV), ka njoftuar të mërkurën kompania zhvilluese e vaksinës, Pfizer, një muaj pas autorizimit të vaksinës së parë kundër patogjenit, një shkak kryesor i infeksioneve të mushkërive.
Njoftimi vjen vetëm disa javë pasi rregullatori, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), miratoi Arexvy nga prodhuesi britanik i barnave GSK-vaksinën e parë në botë kundër RSV, transmeton Gazeta Shneta.
“Miratimi i sotëm është një hap monumental përpara në përmbushjen e angazhimit të Pfizer për të ndihmuar në zbutjen e barrës së konsiderueshme të RSV në popullatat me rrezik më të lartë, që përfshin të moshuarit,” tha në një deklaratë, shefja e zhvillimeve kërkimore rreth vaksinave të Pfizer, Annaliesa Anderson.
Abrysvo dhe Arexvy i GSK-së janë të dy të destinuara për njerëzit mbi moshën 60 vjeç.
Zyrtarët nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), do të takohen më 21 qershor për të hartuar rekomandime për administrimin e vaksinave RSV tek të moshuarit.
Në pritje të këtij takimi, Pfizer me bazë në SHBA planifikon të prezantojë Abrysvo në treg në tremujorin e tretë, përpara rritjes së pritshme të rastet me bronkiolitit – inflamacion i mushkërive shpesh i shkaktuar nga një infeksion RSV.
Pfizer ka kërkuar gjithashtu miratimin për një vaksinë të destinuar për gratë shtatzëna, të cilat më pas do t’ua kalonin mbrojtjen foshnjave të tyre. Një panel i pavarur ekspertësh rekomandoi miratimin e asaj vaksine në mes të majit, megjithëse FDA nuk ka nxjerrë ende një vendim.
RSV është një patogjen i përhapur, shumë ngjitës më i njohur për shkaktimin e bronkiolitit – një acarim dhe inflamacion i rrugëve të frymëmarrjes – te fëmijët e vegjël, veçanërisht në dimër. Gjithashtu infekton të rriturit dhe mund të bëhet i rrezikshëm tek të moshuarit, të cilët mund të zhvillojnë pneumoni.
Sipas zyrtarëve të shëndetësisë amerikane, RSV vret nga 6,000 deri në 10,000 njerëz mbi moshën 65 vjeç në Shtetet e Bashkuara çdo vit dhe shkakton ndërmjet 60,000 dhe 160,000 shtrime në spital. /Gazeta Shneta/




