Shkencëtarët shpresojnë të mësojnë më shumë rreth fazave më të hershme të zhvillimit njerëzor duke përdorur modelet e embrioneve të krijuara nga qelizat burimore.
Modelet nga shkencëtarët e Universitetit të Kembrixhit, përfundimisht mund të hedhin dritë mbi pse dhe si dështojnë shtatzënitë si dhe mbi çrregullimet gjenetike, shkruan Medical Xpress përcjell Gazeta Shneta.
Modelet janë tredimensionale dhe të krijuara nga qelizat staminale, jo nga veza dhe sperma, kështu që ato nuk mund të rriten në bebe. Ato do të bëjnë të mundur replikimin e zhvillimit embrional në javën e dytë të shtatzënisë.
“Modeli ynë i ngjashëm me embrionin njerëzor, i krijuar tërësisht nga qelizat burimore njerëzore, na jep akses në strukturën në zhvillim të një faze që normalisht fshihet prej nesh për shkak të implantimit të embrionit të vogël në barkun e nënës,” shpjegoi drejtuesja e hulumtimit, Magdalena Zernicka -Goetz, nga Departamenti i Fiziologjisë, Zhvillimit dhe Neuroshkencës të Universitetit të Kembrixhit.
“Ky zhvillim emocionues na lejon të manipulojmë gjenet për të kuptuar rolet e tyre zhvillimore në një sistem model,” shtoi ajo.
“Kjo do të na lejojë të testojmë funksionin e faktorëve specifikë, gjë që është e vështirë të bëhet në embrionin natyror.”
Në fillim të shtatzënisë humane, embrioni implantohet në mitër gjatë javës së dytë, kështu që është një kohë kyçe. Shumë shtatzëni humbasin në këtë fazë.
Shkencëtarët thonë se këto zhvillime të reja do t’i lejojnë ata të shikojnë një periudhë që është si një “kuti e zezë” e zhvillimit njerëzor.
Mund të çojë gjithashtu në njohuri të reja rreth shkaqeve të defekteve dhe sëmundjeve të lindura njerëzore.
Studimi, i cili u financua nga The Wellcome Trust dhe Open Philanthropy, u botua më 27 qershor në revistën “Nature“. /Gazeta Shneta/


