Në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK 18 kardiologë e kanë nënshkruar një peticion përmes së cilit po kërkojnë shkarkimin e drejtorit Lulzim Kamberi. Këtë dokument e kanë dorëzuar sot në drejtorinë e SHSKUK-së. Peticioni i drejtohet drejtorit Elvir Azizi, kryesuesit të Bordit Naim Bardiqi dhe ministrit Arben Vitia
Një peticion për shkarkimin e drejtorit të Klinikës së Kardiologjisë në QKUK është dorëzuar sot në zyrën e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së Elvir Azizi, shkruan Gazeta Shneta.
Në këtë peticion kanë hedhur firmat e tyre 18 mjekë të kësaj klinike, të cilët po kërkojnë shkarkimin e menjëhershëm të Kamberit nga detyra e drejtorit për disa arsye.
Në këtë peticion ku janë nënshkruar ish-drejtori i SHSKUK-së Basri Sejdiu, ish-drejtori i kësaj klinike Imri Jashari dhe të tjerë, pretendohet se Kamberi “është kreator i kaosit profesional, parregullësive menaxheriale, krijimit të pa ndërprerë të situatave konfliktuoze, diskriminimit dhe abuzimit duke keqpërdorur pozitën”. Peticionin e plotë e gjeni më poshtë.
Në këtë peticion përmendet edhe shefi i Njësisë koronare Artan Ahmeti. Para disa javësh ndaj Ahmetit është pretenduar se e ka sulmuar kolegun e tij Fisnik Veliu. Ky i fundit ka marr edhe ndihmë mjekësore.
Kardiologët e nënshkruar në peticion e akuzojnë Kamberin se ka tentuar të shuaj këtë rast duke e ngritur në detyrë Ahmetin si shef dy javë pas rastit.
Ahmeti e kishte mohuar se e ka goditur Veliun. Ndërkaq ai para disa ditësh me një postim në facebook ka njoftuar se në këtë klinikë brenda 6 muajve janë stentuar rreth 1400 pacientë.







