Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Dr. Arben Vitia ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ (UA) Nr: 03/2023 për trajtimin mjekësor jashtë institucioneve publike.
Sipas një komunikate të dhënë nga MSh-ja, thuhet se në këtë UA janë përditësuar dhe avancuar procedurat ndëpërmjet të cilave Qeveria do të përkrahë financiarisht qytetarët për shërbimet shëndetësore të cilat nuk ofrohen në shërbimet publike shëndetësore, përcjell Gazeta Shneta.
“Me UA Nr: 03/2023, përveç që zgjerohet gama e shërbimeve për pacientët që kanë nevojë për trajtim jashtë vendit, evitohen zbrazëtirat që pamundësojnë ofrimin e shërbimeve për qytetarët tanë dhe sigurojnë një proces të rregullt dhe transparent. Gjithashtu, të gjithë qytetarëve rezident sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës u sigurohet e drejtë të qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor, respektivisht kur paraqiten kërkesa për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike”, thuhet tutje në komunikatën e MSh-së.
E veçantë e këtij udhëzimi të përditësuar është se secili qytetar do të gëzon të drejtën e mbështetjes financiare në vlerë deri më 30,000 euro brenda një viti:
– Përmes UA Nr: 03/2023 gjithsecili qytetar i Republikës së Kosovës gëzon të drejtën e mbështetjes financiare në vlerë deri në 30,000 euro brenda një viti për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë.
– Personat me status të invalidit të luftës, anëtarët e ngushtë të familjes së dëshmorëve, viktimat civile të luftës do të kompensohen në shumën maksimale, 100%, të vlerës së faturës. Gjithashtu, njëjtë do të përfitojnë edhe personat deri në 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që janë përfitues të ndihmës sociale.
– Personat mbi moshën 18 vjeç kompensohen me 70% të vlerës së çmimit referent apo mesatares së çmimit të tri profaturave për trajtim mjekësor.
– Ndërsa, për personat e diagnostikuar me sëmundje malinje mbi moshën 18 vjeçare është rritur vlera e kompensimit.
UA Nr: 03/2023 ka thjeshtuar edhe procedurat e aplikimit për qytetarët, ndërsa referimi dhe përgjegjësia do të jetë tek profesionistët shëndetësor kompetent të cilët rekomandojnë trajtimin jashtë vendit.




