Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj mjekut Arben Esati nga Tetova, për kanosje ndaj gazetarit Bujar Vitija për shkak të një shkrimi lidhur me dyshimet mbi specializimin e tij në QKUK.
Prokuroria Themelore ka njoftuar se është ngritur aktakuzë ndaj mjekut Arben Esati, për kanosje ndaj gazetarit Bujar Vitija për shkak të një artikulli në Gazetën Shneta lidhur me dyshimet mbi specializimin e Esatit në QKUK.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit A.E., për shkak të veprës penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, më 27 gusht 2022, rreth orës 23:30 në Prishtinë, pasi i dëmtuari B.V., në cilësinë e gazetarit, paraprakisht kishte publikuar një artikull në portalin “Gazeta Shneta”, lidhur me specializimin e të pandehurit, ky i fundit i revoltuar nga ky shkrim, me qëllim të frikësimit, nga llogaritë e tij në rrjetin social “facebook”, e kanosë seriozisht të dëmtuarin duke i shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën. Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Artikulli për Esatin me titull “Specializanti ‘misterioz’: Kreu provimin specialistik në QKUK, por mjekët e klinikës s’kanë dëgjuar kurrë për të” i publikuar më 12 korrik të vitit të kaluar, flet për dyshimet në lidhje me specializimin e Esatit në QKUK.

Kjo për faktin se përveç atyre që ia kanë dhënë titullin në provim, askush nga mjekët – përfshirë drejtorin e Klinikës së Anestezionit, nuk e kanë njohur Esatin. Komisioni që ia kishte dhënë titullin përbëhej nga Nehat Baftiu, Fatos Sada e Agron Balaj.
Për titullin e Esatit Maqedonia Veriore ka dërguar notë verbale në Ministrinë e Shëndetësisë. Kjo e fundit ka hetuar rastin përmes Inspektoratit Shëndetësor, por deri më tani nuk dihet nëse është ndërmarr ndonjë veprim në lidhje me titullin e tij nga Bordi për Shkollim Specialistik. /Gazeta Shneta/




