Një mjek nga Tetova ka kryer specializimin në QKUK, por mjekët e klinikës ku ai specializoi nuk kanë dëgjuar kurrë për emrin e tij. Kjo ka ngritur dyshime për kryerjen e stazhit, por Arben Esati thotë se i ka kryer të gjitha obligimet me kohë. Profesorët Baftiu e Sada që e kaluan në provim i kanë dal në mbrojtje, ndërsa MSH dhe Bordi për Shkollim specialistik e kanë mbrojtur vetën në këtë rast
Mjeku i ri nga Tetova Arben Esati kishte fituar specializimin për anestezion dhe mjekim intensiv në Kosovë në shkurt të vitit 2017, ndërsa ka kryer provimin specialistik më datë 31 mars 2022 duke marr titullin specialist pranë komisionit të përbërë nga kryesuesi Nehat Baftiu, dhe anëtarët Fatos Sada e Agron Balaj.
Para se ky Komision t’ia jepte vulën e specialistit, Esati supozohej të ndiqte stazhin në njësitë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të mësonte në bazë të kurrikulës, të kryente seminaret si dhe të gjitha kollokviumet. Por janë ngritur dyshimet se Esati nuk i është përmbajtur të gjitha këtyre kritereve, shkruan Gazeta Shneta.
Kjo për faktin se disa specialistë të klinikës së anestezionit që do të duhej ta mësonin Esatin në sallat e operacionit apo intensivë, në fakt nuk kanë dëgjuar asnjëherë për emrin e tij. E si është e mundur që Esati të ketë kryer stazhin pesë vjeçarë e të mos e njohin mësuesit e tij.
“Lidhur me pyetjen tuaj për dr. Arben Esati ky është emër i panjohur për mua”, ka deklaruar drejtori i Klinikës së Anestezionit Dr. Gazmend Spahija. Njëjtë është përgjigjur edhe njëri nga ish-anëtarët e Komitetit Specialistik të Anestezionit dhe specialisti Lulzim Emini. “Në kapacitetin e specialistit, asnjëherë nuk kam dëgjuar për të!”, ka deklaruar Emini.
Gazeta ka kërkuar një përgjigje edhe nga anëtari i Komitetit Mentor Alimusaj, por i njëjti ka thënë se është në pushim dhe ka kërkuar edhe një javë kohë për të kthyer një përgjigje duke thënë se nuk po i kujtohet emri i mjekut nga Tetova.
Çfarë thotë Arben Esati?
Gazeta ka kontaktuar me Arben Esatin dhe ai deklaron se i ka kryer të gjitha obligimet me kohë. Ai thotë se ka qenë i rregullt, i njeh dhe e njohin të gjithë kolegët e gjeneratës.
“Kam përfundu më 31.03.2022. Kam qenë i rregullt në specializim. Kam përfundu kollokviumet dhe seminaret me kohë”, ka deklaruar Esati. Ndonëse pretendon se ka qenë i rregullt, Esati nuk e di se në Klinikën e Anestezionit është ndërruar drejtori.
Kur Gazeta i ka treguar se emrin e tij nuk e njeh drejtori i Klinikës, ai është përgjigjur duke thënë se “të gjithë specializantët e klinikës më njohin, si nuk më njifka drejtori Dr. Nehati”. Në fakt Nehat Baftiu nuk është drejtor i klinikës që nga gushti i vitit të kaluar, kohë kjo kur Esati supozohej se ishte ende në specializim.
Esati tutje ka thënë se me leje të mentorit dhe Komitetit disa pjesë të stazhin i ka kryer në spitalet rajonale bashkë me disa specializantë kosovarë, por nuk ka treguar se në cilat spitale ka qenë. Madje ai nuk ka ofruar as dëshmi për kryerjen e stazhit me nënshkrime të Komitetit, kur i është kërkuar nga Gazeta.
“Me leje të mentorit dhe komitetit disa pjesë i kemi përfundu në Spitalet Rajonale (edhe disa kolegë nga Kosova në kohën e pandemisë) në Spitalin e Tetovës ku kam marrë edhe mirënjohje gjatë pandemisë Covid – 19″, teksa më pas Esati ka shtuar se “Gjatë pandemisë stazhin specialistik e kam kryer në spitalin klinik të Tetovës”.
Profesorët Baftiu e Sada e mbrojnë specializantin e tyre ‘misterioz’
Profesori Nehat Baftiu, ish-drejtor i Klinikës së Anestezionit dhe tani kryesues i Komitetit Specialistik për Anestezion, thotë se asnjë specializant përfshirë edhe Esatin, nuk ka mundur të hyjë në provimin specialistik pa përfunduar stazhin specialistik.
“Dr. Arbeni ka qenë i rregullt në mbajtjen e seminareve, në kryerjen me sukses të kollokviumeve dhe ka qenë shumë i mirë në provimin përfundimtar. Është kthyer në Tetovë dhe është punësuar në spitalin e qytetit. Për mendimin tim është bërë shumë mirë me shkuarjen e tij sepse kanë qenë vetëm shtatë anesteziologë”, ka deklaruar Baftiu.
E vërteta sipas Baftiut është se disa specializantë të kësaj gjenerate kanë kryer disa pjesë të specializimit në spitalet rajonale për shkak të Covid-19, por ai nuk ka treguar se në cilat spitale ka qenë Esati.
Edhe Sada i ka dal në mbrojtje Esatit. Ai ka thënë se proceduralisht ka qenë gjithçka sipas udhëzimit administrativ 05/2017 për Shkollimin Specialistik. “Para mbajtjes së provimit specialistik, kandidati i ka përmbush kriteret e caktuara me rregulloren në fjalë, prandaj sipas udhëzimit administrativ nga organi udhëheqës jam caktuar anëtar komisioni. Nga anëtarët e Komisionit, kandidati është vlerësuar ‘kaloi’”, ka deklaruar Sada.
MSH dhe Bordi për Specializime e mbrojnë vetën
Ministria e Shëndetësisë dhe Bordi për Shkollim Specialistik më shumë e kanë mbrojtur vetën në këtë rast, sesa kanë dhënë informata ose zotime se do të kërkojnë përgjegjësi për këtë rast.
MSH në një përgjigje ka deklaruar se nuk ka pranuar ndonjë ankesë dhe se Arben Esati nuk është paguar gjatë shkollimin specialistik. Ata kanë shpjeguar procedurën e verifikimit të stazhit të një specializanti, por nuk kanë bërë të ditur nëse është verifikuar apo jo stazhi i Esatit.
Edhe Edmond Haliti, kryesues i Bordit për specializime, thotë po ashtu se nuk ka pranuar asnjë ankesë në rastin e Esatit. Ai thotë se nuk ka informacione për dyshimet e ngritura.
Edhe Haliti ka shpjeguar procedurat që duhet të ndiqen në rastet e kryerjes së stazhit specialistik para hyrjes në provim. Haliti ka deklaruar se nga shtatori i vitit të kaluar kanë obliguar mentorët klinik dhe kryetarët e komiteteve që të raportojnë në baza mujore për vijueshmërinë e stazhit për specializantët, por nuk ka thënë nëse është hetuar vijueshmëria e rastit në fjalë. Kujtojmë se në këtë rast, Nehat Baftiu është kryetar i Komitetit ndërsa ka qenë edhe kryesues i Komisionit në provimin specialistik. /Gazeta Shneta/