Për individët me një histori familjare të sëmundjeve të zemrës, ngrënia e peshkut yndyror si salmoni, toni dhe harenga mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të zhvillimit të sëmundjeve kardiovaskulare.
Dëshmitë nga hulumtimet e mëparshme kanë treguar se acidet yndyrore omega-3, të gjetura në peshkun yndyror, arrat dhe suplementet dietike që përmbajnë vaj peshku, mund të përmirësojnë shëndetin e zemrës, të mbrojnë kundër rënies njohëse dhe të përmirësojnë funksionin e mushkërive, shkruan burimi Health News përcjell Gazeta Shneta.
Megjithatë, sipas hulumtimit të ri të botuar më 4 dhjetor në “Circulation”, omega-3 mund të jetë edhe më e rëndësishme për njerëzit me një histori familjare të sulmit në zemër, arrestit kardiak ose goditjes në tru.
Studimi i udhëhequr nga shkencëtarët e Instituti Karolinska, ekzaminoi nivelet e acideve yndyrore në gjakun dhe indet e 40,885 njerëzve pa sëmundje kardiovaskulare.
Ekipi gjithashtu analizoi historinë familjare të çdo personi për të përcaktuar rrezikun e tyre gjenetik për problemet e zemrës.
Pas analizimit të të dhënave, shkencëtarët zbuluan se pjesëmarrësit që kishin një të afërm të ngushtë me sëmundje kardiovaskulare dhe nivele të ulëta të EPA dhe DHA kishin mbi 40% më shumë gjasa për të zhvilluar sëmundje të zemrës.
Në të kundërt, ata që kishin një histori familjare të sëmundjeve të zemrës dhe nivele adekuate të omega-3 kishin një rrezik 25% në rritje të problemeve të zemrës.
Kjo do të thotë se për dikë me një prind ose vëlla me sëmundje kardiovaskulare, omega-3 mund të ndihmojë në zvogëlimin e mundësisë së tyre për të zhvilluar një sëmundje të zemrës.
Në një njoftim për shtyp, autorja kryesore e studimit Karin Leander, një pedagoge e lartë dhe profesoreshë e asociuar e epidemiologjisë në Institutin Karolinska, tha se:
“Studimi sugjeron se ata me një histori familjare të sëmundjeve kardiovaskulare kanë më shumë për të përfituar nga ngrënia e peshkut me vaj se të tjerët. ”
Pra, pavarësisht se janë vëzhguese, gjetjet e studimit zbuluan një pasqyrë të re mbi rolin e omega-3 në rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. /Gazeta Shneta/


