Në Kosovë për herë të parë u implementua platforma e Planit Krijues – që në fokus ka zhvillimin e planeve të komunikimit të rrezikut, angazhimit të komunitetit dhe menaxhimit infodemik – vegël kjo e zhvilluar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Pandemia COVID-19 ka shpërfaqur si asnjëherë më parë rëndësinë e Komunikimit të Rrezikut dhe Angazhimit të Komunitetit (RCCE) për gatishmëri dhe reagimin ndaj emergjencave shëndetësore duke përfshirë këtu dhe menaxhimin infodemik.
Gjithçka kishte marr tatëpjetën nga një postim – pastaj sirenat e alarmit u ndezën mbi shumë qytete:
“Pirja e alkoolit ju mbron nga COVID-19. Spërkatja e trupit me alkool ose klor vret koronaviruset. Ngrënia e hudhrës ndihmon në parandalimin e infeksionit me koronavirus. Sëmundja COVID-19 nuk mund të transmetohet në zona me klimë të nxehtë dhe të lagësht. Moti i ftoftë dhe bora vrasin koronaviruset e reja. Koronavirusi i ri mund të transmetohet përmes pickimit të mushkonjave. Klorokina është kura e provuar për COVID-19. 5G shkaktoi pandeminë me COVID-19”.
Këto mund të tingëllojnë të çuditshme për veshin tuaj?!
Mirëpo kur këto postime përhapen dhe arrijnë të targetojnë më shumë njerëz në media sociale, atëherë nga një postim i pabazë arrin të evoluon dhe të përdoret si fakt!
Hipotezat e lexuara mund të sjellin një lloj fshikullime për të cilën nuk mund të jesh i përgaditur për t’a përpij e këto pështjellime në stomak çorientuan dhe shkaktuan dëme të mëdha në paralelizëm me virusin infektues që me vrull përfshiu gjithë botën anembanë.
Keqinformimi dhe dezinformatat rreth COVID-19 ishin bërë një lloji i epidemisë, karshi botës që luftonte me një pandemi të vërtetë për tre vite rradhazi.

TË TËRHEQËSH KËMBËZËN
Përmbajtjet sensacionale dhe alarmante të përhapura përmes mediave sociale kanë krijuar atë që njihet si “pandemi dixhitale” ose “(keq)infodemi”. Efekti i tyre është të përforcojnë ankthin publik.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), e përkufizojë infodeminë si “sasi e madhe e informacionit, duke përfshirë informacione të rreme ose mashtruese në mjediset dixhitale dhe fizike gjatë një shpërthimi të një sëmundjeje. Kjo situatë mund të shkakton konfuzion dhe sjellje rrezikuese që mund të dëmtojnë shëndetin dhe gjithashtu çon në mosbesim te autoritetet shëndetësore dhe minon reagimin e shëndetit publik”.
Më 15 shkurt 2020, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus në Konferencën e Sigurisë në Mynih tha se :“Ne nuk po luftojmë vetëm një epidemi; ne po luftojmë një infodemi.”
Lajmet e rreme në lidhje me origjinën, parandalimet, kurat, procedurat diagnostikuese dhe masat mbrojtëse të sëmundjes janë përhapur të papenguara në internet dhe media sociale njëkohësisht.
Dështimi për të ndaluar përhapjen e lajmeve të rreme për sëmundjen e koronavirusit të vitit 2019 (COVID-19) ka rezultuar në panik, frikë dhe kaos brenda shoqërisë.
Qindra kanë vdekur nga ndjekja e këshillave të rreme dhe mashtruese në internet.
Dhe për fat të keq, mashtrimet shëndetësore dhe thashethemet vazhdojnë të ngatërrojnë komunitetin shkencor, duke qëndruar si një pengesë për protokollet e shëndetit publik dhe axhendat e kontrollit të situatës.
Ky është një ekstrakt i asaj se çfarë ndodhi nga keqinformimet dhe dezinformatat rreth COVID-19:
Dezinformatat që qarkulluan në internet se ‘alkooli metanol shëronte koronavirusi’ çuan në qindra vdekje në Iran. Në Arizona, një çift konsumoi fosfat klorokinë për të parandaluar COVID-19 pasi Presidenti Trump shpalli përfitimet e hidroksilklorinës si një kurë shëruese në një konferencë të përditshme në mars të 2020, ku njëri nga ta ra për vdekje. Një djalë 5-vjeçar u verbua pasi prindërit i dhanë alkool me përqëndrim të lartë për të luftuar koronavirusin.
Keqinformimet rreth COVID-19 ishin të përhapur gjerësisht në mediat sociale, duke filluar dhe nga shitja e “kurave” të rreme, të tilla si gargara me limon ose ujë të kripur dhe pirja e dezinfektuesve si opsionale e deri te teoritë e rreme konspirative se virusi ishte bioinxhinieruar në një laborator në Wuhan ose që rrjeti celular 5G po shkakton ose përkeqëson simptomat e COVID-19.
Filmi konspirativ “Plandemic” që u shfaq më 4 maj 2020, duke mbledhur miliona shikime u bë shpejt një nga shembujt më të përhapur të dezinformatave të lidhura me koronavirusin. Videoja promovon këshilla të rrezikshme shëndetësore, duke sugjeruar në mënyrë të rreme se mbajtja e një maske në të vërtetë “aktivizon” koronavirusin.
Po, po. Personalitetet e famshme që kanë bërë gafa! Lajmet e rreme për virusin janë promovuar gjithashtu në mënyrë aktive nga elita politike, si Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti brazilian Jair Bolsonaro, të cilët pretenduan në mënyrë të rreme se hidroksilklorina “po funksionon në të gjitha vendet” si një trajtim kundër virusit. Sipas një studimi nga Universiteti Cornell, Presidenti Trump ishte nxitësi më i madh i dezinformatave rreth COVID-19.

Dezinformatat dhe keqinformimet kanë krijuar flluska të shumta në ajër, duke shkëputur nga realiteti shumë syresh. Sipas një sondazhi të YouGov u zbulua se rreth 28% e amerikanëve dhe 50% e shikuesve të emisionit televiziv Fox News menduan se Bill Gates po planifikon të përdorë vaksinën COVID-19 për të zbatuar mikroçipe te njerëzit.
Për më tepër, një analizë e fundit e videove më të shikuara të koronavirusit në YouTube zbuloi se mbi 25% e videove kryesore rreth virusit përmbanin informacione mashtruese, duke arritur mbi 62 milionë shikime në mbarë botën.
Në mënyrë të ngjashme në Rumani, dezinformimi është një faktor kontribues në valën e katërt katastrofike të vendit me virusin Sars-CoV-2 në vitin 2021.
Sipas një studimi që përfshin periudhën midis 7 janarit 2020 dhe 1 qershorit 2020 është parë një interesi i madh për informacionin rreth barnave të marra si vetë-mjekim. Me theks të veçantë, këtu dominuan barnat si hidroksiklorokina dhe klorokina si dhe ivermectina.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, shpërndarja e lajmeve të rreme nxit gjithashtu racizmin dhe blerjen në panik të furnizimeve mjekësore dhe barnave zbulon një studim i vitit 2020.
Një krizë që shërbeu si kambanë alarmi – epoka e infodemisë, sipas një studimi nga ASTMH (American Society of Tropical Medicine and Hygiene) u zbulua se më shumë se 800 vdekje kanë ndodhur për shkak të miteve të COVID-19 në lidhje me trajtimin dhe parandalimin e sëmundjes.
FRIKA VRET MË SHUMË NJERËZ SE VDEKJA
Tabloja e infodemisë kishte për bazë gjetjen e pikës nevralgjike. Dezinformatat përhapen shpejt kur njerëzit kanë frikë. Kur përballemi me një sëmundje ngjitëse dhe potencialisht fatale është e frikshme.
Një studim i vitit 2018 konfirmon se lajmet e rreme udhëtojnë më larg, më shpejt dhe më gjerë se e vërteta.
Frika në përgjigje ndaj COVID-19 i bën njerëzit të mendojnë në mënyrë më të ngurtë duke vështirësuar njohjen e dezinformatave, kishte vënë në pah një hulumtim i botuar në revistën “Frontiers in Communication”.
“Frika është një nga emocionet më të fuqishme që kemi, dhe ndërsa është shumë e dobishme për mbijetesën tonë, ajo ka një ndikim të rëndësishëm në ‘infodeminë’ që po shohim në mbarë botën”.
– Dr. Carola Salvi, autorja kryesore e studimit, shkencëtare hulumtuese në Departamentin e Psikiatrisë dhe Shkencave të Sjelljes në Universitetin e Teksasit në Austin
“Në kohë pasigurie, njerëzit shpesh kërkojnë informacion për të ndihmuar në zbutjen e frikës, ndoshta duke i lënë ata të prekshëm ndaj informacioneve të rreme,” tha Dr. Salvi.
ZANAFILLA E INFODEMISË
Historikisht, keqinformimet ndryshuan mënyrën se si njerëzit u besonin qeverive dhe mjekëve të tyre edhe gjatë pandemisë së gripit të vitit 1918, duke nxitur kështu edhe lëvizjet anti-vax që ishin kundër vaksinimit ndaj lisë të shekullit të 19-të përmes disa prej argumenteve të njëjta si ato që përdoren aktualisht kundër vaksinës COVID-19.
Mirëpo ajo që e veçoi pandeminë COVID-19, megjithatë, është përmasa e madhe e dezinformatave të dëmshme që qarkulluan në mbarë botën. Të dhënat tregojnë se rajonet dhe vendet ku dominoi dezinformimi përjetuan më shumë valë pandemike vdekjeprurëse, pavarësisht nga disponueshmëria e vaksinave.
Këto mesazhe ndonjëherë lidhen me hezitimin kur bëhet fjalë për vaksinimin ose marrjen e një doze përforcuese. Njerëzit e ekspozuar ndaj dezinformatave shpesh prireshin të merrnin masa më pak parandaluese, të tilla si distanca sociale ose larja e duarve.
Termi infodemi u krijua për herë të parë nga gazetari David Rothkopf gjatë shpërthimit të virusit SARS në 2003, ku ai përshkruan një situatë në të cilën “disa fakte, të përziera me frikë, spekulime dhe thashetheme, përforcohen dhe transmetohen me shpejtësi në mbarë botën nga teknologjitë moderne të informacionit”.
Pandemia e ardhshme nuk është një çështje nëse ndodhë – por kur dhe ku do të ndodhë… një manifestim i tillë infodemik u pa së fundmi dhe në rastet e lisë së majmunëve.
DHE JA KU JEMI. LE TË FILLOJMË!

Kosova është bërë vendi i parë që u trajnua nga platforma e lansuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në përgjigje të krizave të shëndetit publik dhe menaxhimit të infodemisë.
Një bashkëpunim i shkëlqyer midis Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Zyrës Regjionale të OBSH-së për Evropë si dhe Zyrës së OBSH-së në Prishtinë, finalizoi një hap konkret tejet të rëndësishëm në luftën kundër infodemisë.
Një punëtori dy ditore e cila zuri vend në hapësirat e Hotel International Prishtina, kishte për cak trajnimin e profesionistëve shëndetësor, përfaqësusve të mediave – autoritetin lokal në Kosovë që të jenë më të përgatitura për t’iu përgjigjur emergjencave të ardhshme.
Trajnuesit e punëtorisë ishin emra të njohur në selinë e OBSH-së. Thanas Goga dhe Lisa Berthelot, kishin ndarë mendjen! Buzagas dhe plot energji çarmatosen auditorin nga të gjitha informacionet që posedonim përgjatë dhjetë moduleve.

“Kosova është vendi i parë që e zbaton këtë platformë duke qenë se do e hedhim këtë hap të parin do të kemi mundësi që diku gjatë tremujori të parë të vitit në vijim të kemi aftësitë që i marrim sot për të përqafuar gjithë teknikat që i ofron kjo platformë t’i përdorim për zhvillimin e nji plani që mund të jetë për të gjitha rreziqet, ato që mund të vie nga rreziqet e infeksionit apo nga rreziqet e tjera shëndetësore brenda një organizate të caktuar, brenda shtetit, ministrisë apo IKSHPK, që shpresoj të na ndihmojë të gjithëve dhe mbi të gjitha të jesh në pararojë të të gjitha vendeve”.
– Thanas Goga, Oficer Teknik i Hapit të Emergjencave për Ballkanin Perëndimor në rajonin tonë.

Çëshjet e trajtuara me shumë finesë, hapën shtigje për diskutime të shumta dhe mësime të reja që mund të përfitojë secili individë ose udhëheqës i institucioneve dhe organizatave shëndetësore përmes platformës së Planit Krijues RCCE-IM.
Një punëtori si kjo, u vlerësua lart nga Dr. Isme Humolli nga Organizata Botërore e Shëndetësisë – Zyra në Prishtinë, duke potencuar se nuk do të ndalet në angazhimet e saja drejt shtjellimit të çështjeve të shëndetit publik dhe menaxhimit të urgjencave.
Dr. Faik Hoti nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike mbetet një figurë e fuqishme e bashkëpunuese e ngjarjeve të tilla që për fokus ka shëndetin e popullatës. Si gjithmonë i hapur ndaj pyetjeve dhe bisedimeve të shumta, ai u zotua se nga dikasteri që vepron dhe punon gjithmonë do të jenë pararendës në sjelljen e punëtorive të tilla për vendin tonë.

Kjo punëtori është financuar në kuadër të Projektit Fuqizimi i Sistemeve Shëndetësore në Ballkanin Perendimor nga Bashkimi Evropian.
Që puna jonë të ketë thelb të vërtetën duhet të fillojë nga e vërteta.
Kosova në raport me keqinformimet dhe dezinformatat rreth sëmundjes COVID-19 duket se ka kaluar hendekun e rrezikut.
Dëshmia më e mirë e kësaj është imunizimi i popullatës në vend dhe fushatat ndërgjegjësuese rreth vaksinimit.
Në Kosovë janë miratuar dy vaksina kundër koronavirusit: Pfizer dhe AstraZeneca.
Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Kosovë, deri më 15 janar të këtij viti, janë administruar mbi 1.8 milion doza të vaksinave.
OBSH e ka shpallur sëmundjen COVID-19 emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar në janar të vitit 2020.
Pas më shumë se tre vjetësh, më 5 maj të këtij viti, OBSH-ja ka deklaruar se COVID-19 nuk paraqet më “urgjencë globale shëndetësore”.
Për angazhim të jashtëzakonshëm dhe profesionalizmin e dëshmuar gjatë pandemisë COVID-19, IKSHPK u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Me një lëvizje largpamëse, në një garë që konkurron ethshëm e gjitha bota ne jemi përpiqur që të gjithë së bashku të jemi të parët që kalojmë vijën e finishit.
Cili është standardi ynë i referencës?
Dukuria e infodemisë cilësohet si njëra nga top dhjetë ngjarjet epidemiologjike që karakterizuan vitin 2022 të mjekësisë dhe shëndetësisë përkrah epidemive të shumta si përhapja e mpox, epidemia triple (covid-19, grip, virusi RSV), përhapja e Ebolës dhe kriza globale e shëndetit mendor.
Studiuesit e komunikimit shkencor përmes një studimi të botuar në New England Journal of Medicine, propozuan trajtimin e “infodemisë” së COVID-19 të bëhet me të njëjtat metoda të përdorura për të ndaluar epidemitë.
“Ne besojmë se përhapjet e ndërthurura të virusit dhe dezinformatave kërkojnë një qasje të re që paralelizojnë modelet epidemiologjike duke u fokusuar në tri elemente: mbikëqyrja në kohë reale, diagnoza e saktë dhe reagimi i shpejtë”, theksuan autorët.
Zëri i së vërtetë rreth infodemive të ardhshme është duke kapur çastin në elementet bazë për të besuar një argument ose teori. Duke analizuar burimet, titujt, tekstshkruesin – gjithmonë studiuesit rekomandojnë të bazohen në informacionet e marra nga organizatat e kujdesit shëndetësor, shëndetit publik, profesionistëve shëndetësor apo artikujt – burimet e të cilave janë të cituara në mënyrë profesionale.
Parandalimi është më i mirë se kurimi. Kjo është e vërtetë sa për sëmundjet aq edhe infodeminë.
Nëse dëshironi t’i testoni shkathësitë e juaja në raport me gjykimet personale rreth infodemisë së koronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë në bashkëpunim me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar kanë zhvilluar një lojë online të ashtuquajtur GO VIRAL, në të cilën lojtarët mësojnë t’i rezistojnë tre teknikave të manipulimit që përdoren zakonisht për të përhapur dezinformata rreth koronavirusit si: nxitja e frikës, përdorimi i ekspertëve të rremë dhe teoritë e konspiracionit.
Dhe mbani në mend, falë projekteve të tilla si Lead Stories, Poynter, FactCheck.org, Snopes, EuVsDisinfo që monitorojnë, identifikojnë dhe kontrollojnë dezinformatat e përhapura në mbarë botën, ju do të arrini tek informacionet e duhura mjekësore dhe të sakta në çdo kohë.
Mesazhet për fund marrin karakterin e atyre që i kemi parë si moto të vazhdueshme përgjatë viteve të fundit të pandemisë në vend: Le të parafrazojmë IKSHPK – pa panik dhe frikë, bashkë mund t’ ja dalim! /Gazeta Shneta/




