Ndalimi i pirjes së duhanit zvogëlon rrezikun e kancerit në çdo moshë, veçanërisht pas 10 vjetësh, sipas një studimi të ri.
Studiuesit raportojnë se rreziqet e ish-duhanpirësve për të zhvilluar kancer të mushkërive bien më shpejt pas ndalimit të pirjes së duhanit, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Lënia e duhanit kur jeni më i ri ka përfitime më të forta në uljen e rrezikut të kancerit, por përfitimet e lënies pas moshës 50 vjeç janë ende të rëndësishme, thanë studiuesit.
Mes tjerash, lënia e duhanit në çdo moshë duket se zvogëlon ndjeshëm rrezikun e një personi për kancer të mushkërive dhe kancereve të tjera.
Ky është përfundimi i hulumtimit të publikuar sot në revistën “JAMA Network Open”.
Për studimin e tyre, studiuesit shikuan një grup prej afro 3 milionë njerëzve mbi moshën 30 vjeç me një ndjekje mesatare prej 13 vjetësh.
Në gjetjet e tyre, studiuesit raportuan se ata që e kishin ndërprerë plotësisht duhanin kishin një rrezik të përgjithshëm 17% më të ulët të kancerit sesa ata që vazhduan të pinë duhan. Kjo përfshinte një rrezik 42% më të ulët të incidencës së kancerit të mushkërive, një rrezik 27% më të ulët të kancerit të mëlçisë, një rrezik 14% më të ulët të kancerit të stomakut dhe një rrezik 20% më të ulët të kancerit kolorektal.
Dhe ndërsa lënia e duhanit para moshës 50 vjeç ishte më e mirë për të përmirësuar shanset tuaja kundër një diagnoze të kancerit të mushkërive – me një rrezik mesatar 57% më të ulët të kancerit të mushkërive – edhe pas moshës 50 vjeçe, lënia e duhanit ul rrezikun e kancerit të mushkërive me 39% krahasuar me duhanpirësit e vazhdueshëm, raportuan studiuesit.
“Ky është një studim shumë i madh i bazuar në popullatë që tregon se ndërprerja e duhanit ul rrezikun e kancerit në çdo moshë, veçanërisht në një moshë më të re. Studimi gjithashtu ofron një pasqyrë mbi rëndësinë e ndërprerjes së duhanit për një periudhë më të gjatë dhe se si kjo redukton më tej rrezikun e prekjes nga kanceri”, tha Dr. Anton Bilchik, një onkolog kirurgjik në Institutin e Kancerit të Shën Gjonit në Kaliforni. /Gazeta Shneta/


