Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ka njoftuar se ka filluar vaksinimi kundër Human Papilloma Virusit (HPV) në shkollat fillore.
IKSHPK-ja përmes një njoftimi, ka thënë se Human Papilloma Virusi (HPV) është infeksion viral më i shpeshti i organeve riprodhuese tek gratë që shkakton 95% të kancereve të qafës së mitrës.
Mes tjerash, në komunikatë thuhet se vaksina HPV mund të parandalojë më shumë se 90% të kancereve të ndërlidhura me Human Papilloma Virusin, transmeton Gazeta Shneta.
“Me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, më 2023, sipas rekomandimeve të Komitetit Profesional Këshillues për Imunizim (KPKI), Vaksina kundër HPV u bë pjesë e Kalendarit të rregullt të vaksinimit në Kosovë, bashkë me vaksinën kundër Pneumokokut dhe Rotavirusit. Kalendari obligues i vaksinimit në Kosovë përmban 13 vaksina që parandalojnë sëmundje të rënda infektive”, potencohet tutje në komunikatë.
Njoftimi i plotë i dhënë nga IKSHPK-ja:
Në Kosovë ka filluar vaksinimi kundër Human Papilloma Virusit, që është infeksioni viral më i shpeshtë i organeve riprodhuese tek gratë, i cili shkakton 95% të kancereve të qafës së mitrës.
Vaksina HPV mund të parandalojë më shumë se 90% të kancereve të ndërlidhura me Human Papilloma Virusin.
Me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, më 2023, sipas rekomandimeve të Komitetit Profesional Këshillues për Imunizim (KPKI), Vaksina kundër HPV u bë pjesë e Kalendarit të rregullt të vaksinimit në Kosovë, bashkë me vaksinën kundër Pneumokokut dhe Rotavirusit. Kalendari obligues i vaksinimit në Kosovë përmban 13 vaksina që parandalojnë sëmundje të rënda infektive.
➡️Çka duhet të dinë prindërit lidhur me Virusin Human Papilloma dhe HPV vaksinën?
Human Papilloma Virusi (HPV)
ℹ️ HPV është infeksioni viral më i shpeshtë i organeve riprodhuese tek gratë.
ℹ️ Nëse nuk parandalohet shkakton 95% të kancereve të qafës së mitrës.
ℹ️ Kanceri i qafës së mitrës është kanceri më i shpeshtë i cili ndërlidhet me HPV-në, por gjithashtu ky virus është përgjegjës edhe për kancere dhe sëmundje të tjera të organeve riprodhuese.
HPV Vaksina
ℹ️ Vaksina HPV mund të parandalojë më shumë se 90% të kancereve të ndërlidhura me Human Papilloma Virusin
ℹ️Në Evropë u bë e disponueshme në vitin 2006.
ℹ️ Aktualisht, 126 vende të botës, e kanë përfshirë vaksinën kundër HPV në kalendarin e tyre kombëtar të vaksinimit të rregullt për vajzat
ℹ️ Në 47 vende të ndryshme të botës (20 prej tyre vende të Rajonit Evropian të OBSh-së), kjo vaksinë jepet edhe për djemtë.
ℹ️ Vaksina HPV është pjesë e Listës së Barnave Esenciale të OBSh.
ℹ️ Në Kosovë përdoret vaksina katër valente kundër HPV, e licencuar për herë të parë në vitin 2006.
Kush duhet vaksinuar?
ℹ️ Në Kosovë vaksina jepet për vajzat e moshës 12 vjeçe (klasat e VI-ta).
ℹ️ Jepet në shkolla fillore.
ℹ️ Administrimi: Jepet në krah/ 1 dozë.
ℹ️ Vaksinimin e bëjnë ekipet e trajnuara të vaksinimit nga Kujdesi Parësor Shëndetësor dhe mbikëqyren nga IKSHPK
Efektiviteti dhe siguria e vaksinave
ℹ️ Të dhënat nga provat klinike dhe mbikëqyrja e aplikimit tregojnë se vaksinat HPV-së janë ndër vaksinat më të sigurta dhe më të testuara që janë licencuar ndonjëherë.
ℹ️ Komiteti Këshillimor Global i OBSh-së për Sigurinë e Vaksinave (GACVS) shqyrton rregullisht dëshmitë shkencore mbi sigurinë e vaksinave kundër HPV-së, të siguruara nga studimet e kryera në mbarë botën.
ℹ️ GACVS shqyrtoi të dhënat e sigurisë për herë të parë në vitin 2007, pastaj më 2008, 2009, 2013, 2014, 2015, 2017 dhe vitet e tjera në vijim dhe nuk janë identifikuar reaksione anësore të rënda ose serioze.
ℹ️ Si edhe vaksinat e tjera, edhe te HPV vaksina mund të shfaqen efekte të lehta anësore, si dhembje, skuqje dhe/ose ënjtje në vendin e injektimit, dhembje koke ose temperaturë të lehtë. Zakonisht zgjasin nga disa orë deri në një ditë.
ℹ️ Anafilaksia (reaksione të rënda alergjike në 1.7 raste për një milion doza) dhe sinkopa (alivanosja) janë të mundshme, por të rralla dhe shkaktohen nga frika e jo nga vaksina.
ℹ️ GACVS i konsideron vaksinat kundër HPV-së si jashtëzakonisht të sigurta.
Përfitimet e tjera nga vaksina
ℹ️ Vaksina HPV mund të zvogëlojë nevojën për ekzaminim dhe kujdes mjekësor të mëvonshëm, biopsi dhe procedura invazive të lidhura me kancerin e qafës së mitrës, duke ndihmuar në uljen e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor.
ℹ️ Studimet kanë treguar se imuniteti zgjat deri në disa dekada, duke ofruar mbrojtje potencialisht gjatë gjithë jetës.
Mbani mend:
✅Imunizimi është komponent kyç i kujdesit shëndetësor dhe një e drejtë e padiskutueshme e njeriut
✅Një histori e suksesit global për shëndetin
✅Zvogëlon rrezikun e marrjes së një sëmundjeje infektive
✅Parandalon më shumë se 20 sëmundje kërcënuese për jetën
✅Parandalon 3.5-5 milionë vdekje çdo vit
✅Një nga investimet më të mira shëndetësore.
(Burimi: OBSh, ECDC)
Fotot nga vaksinimi në shkollën model “Qamil Batalli” në Prishtinë




