Mes një shpërthimi të gripit të shpendëve (H5N1), është konfirmuar një rast i tretë në një punonjës ferme të lopëve, kanë njoftuar të enjten, zyrtarët shëndetësorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Dy rastet e mëparshme humane; i pari në Teksas, i dyti në Miçigan, ku ndodhi edhe ky rast i fundit – përfshinin statusin simptomatologjik vetëm me një shqetësim të syve, të lidhur me konjuktivitin (“syrin rozë”), ka shkruar burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
Megjithatë, ky rast i tretë është i pari që paraqitet me simptoma më tipike të frymëmarrjes, theksuan Qendrat e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në një përditësim shëndetësor.
“Pacienti raportoi simptoma të traktit të sipërm respirator, duke përfshirë kollën pa temperaturë, dhe siklet në sy me sekrecion (rrjedhje) të holluar”, tha agjencia. “Pacientit i është dhënë trajtimi antiviral me barin oseltamivir, është i izoluar në shtëpi dhe simptomat e tyre po i kalojnë”.
H5N1 deri më tani nuk është transmetuar lehtë midis njerëzve dhe për shkak se të tre punëtorët amerikanë u infektuan pas kontaktit të zgjatur me lopët qumështore, CDC tha se rasti është “një shembull tjetër i përhapjes së mundshme nga kafsha në person”.
“Duke pasur parasysh shtrirjen e përhapjes së këtij virusi te lopët qumështore, rastet e tjera njerëzore me ekspozim më të lartë rreziku nuk do të ishin befasuese”, shtoi agjencia.
CDC beson se identifikimi i këtij rasti të fundit njerëzor të virusit H5N1 do të thotë se sistemet e vendosura janë duke punuar.
“Identifikimi i një rasti shtesë të H5N1 nuk është befasues dhe tregon rëndësinë e një reagimi proaktiv të shëndetit publik”, ka njoftuar agjencia shëndetësore. /Gazeta Shneta/




