Inteligjenca Artificiale (AI) mund të luajë një rol kyç në diagnostifikimin e hershëm të njerëzve që janë në rrezik për sëmundjet e zemrës, duke identifikuar anomalitë që tradicionalisht janë të vështira për t’u zbuluar. Sëmundjet e zemrës dhe ato të qarkullimit të gjakut marrin një në tre jetë çdo vit.
Studiuesit në Skoci kanë nisur të testojnë përfitimet e AI për ata që janë në rrezik nga këto sëmundje. Falë pacientëve që kanë ofruar vullnetarisht të dhënat e tyre në Regjistrin skocez të Kërkimeve Shëndetësore dhe Biobank (SHARE), studiuesit e Mjekësisë të Universitetit të Dundee kanë bashkëpunuar me një grup prej 578 personash për të parë se si AI mund të ndihmojë në diagnostifikimin e sëmundjeve të zemrës, shkruan MJO, transmeton Gazeta Shneta.
Ekipi, hulumtimi i të cilit është botuar në revistën ESC Heart Failure, ka përdorur AI për të analizuar të dhënat elektronike shëndetësore të grupit dhe skanimet e zemrës me ekokardiografi. Të dhënat janë përdorur për të ekzaminuar imazhet që identifikojnë anomalitë. Studiuesi Chim Lang tha se: “Kjo mund të na lejojë të thjeshtojmë identifikimin e pacientëve me dështim të zemrës. Krahasuar me raportet e krijuara nga skanimet rutinë të zemrës, ato të përmirësuara nga AI janë më të detajuara dhe gjithashtu mund të përpunohen në shkallë më të madhe.”
Sipas një raporti nga Fondacioni Britanik i Zemrës (BHF), rreth 20.5 milionë njerëz kanë vdekur në mbarë botën si pasojë e sëmundjeve të zemrës dhe të qarkullimit të gjakut në vitin 2021, ekuivalente me një vdekje çdo 1.5 sekonda. Çdo zgjedhje që bëjmë, nga ushqimi që hamë e deri te aktivitetet në të cilat përfshihemi, kontribuon në mirëqenien tonë.
Dietologia dhe nutricionistja Mrinal Pandit, veçoi tre zakone të thjeshta të mëngjesit që mund të kontribuojnë në jetëgjatësinë tuaj: hidratimi i duhur, një mëngjes i ekuilibruar, dhe aktiviteti fizik i rregullt. Hidratimi i duhur është thelbësor për shëndetin kardiovaskular, ndihmon në ruajtjen e vëllimit të gjakut dhe përmirëson qarkullimin. Një mëngjes i ekuilibruar është çelësi për ruajtjen e niveleve të qëndrueshme të energjisë dhe parandalimin e ngrënies së tepërt më vonë gjatë ditës./Gazeta Shneta/


