Përafërsisht një e treta e amerikanëve të moshës 18 deri në 49 vjeç konsumojnë pije energjike.
Këto pije përmbajnë nga 80 mg deri në 300 mg kafeinë për porcion shkruan burimi Health News përcjell Gazeta Shneta.
Shumica e këtyre pijeve përmbajnë gjithashtu përbërës stimulues si taurina dhe guarana, të cilat nuk janë të miratuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA (FDA).
Përbërësit shumë stimulues dhe të parregulluar mendohet se ndryshojnë ritmin e zemrës, presionin e gjakut, tkurrjen kardiake dhe ripolarizimin kardiak në një mënyrë potencialisht pro-aritmike.
Aritmitë ose ritmet e parregullta të zemrës, mund të shkaktojnë arrest kardiak, i cili është një humbje e papritur fatale e funksionit të zemrës.
Një studim i ri i botuar në revistën “Heart Rhythm”, përfshiu 144 të mbijetuar nga arresti i papritur kardiak, të cilët u ekzaminuan në klinikën Mayo. Prej tyre, 5% kishin konsumuar një ose më shumë pije energjike në afërsi të ngjarjes së tyre kardiake.
Studimi, megjithatë nuk vërteton se pijet energjike shkaktojnë drejtpërdrejt arrest kardiak.
“Një numër në rritje i substancave në dietën standarde rezulton të ketë efekte të padëshiruara kardiake, duke nxitur shqyrtimin e një nënkategorie të re në marrjen e historisë klinike të pacientit: ushqimet aritmogjene. Pijet energjike bien në këtë kategori”, tha Dr. Ehud Chorin, PhD nga Universiteti i Tel Avivit.
Mes tjerash, studiuesit thonë se konsumi i pazakontë i pijeve energjike i kombinuar me faktorë të tjerë rreziku si privimi i gjumit ose dehidratimi mund të ketë krijuar një ‘stuhi të përsosur’, duke çuar në arrest të papritur kardiak te pjesëmarrësit.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), rreziqet e konsumit të pijeve energjike përfshijnë dehidratimin, komplikime të zemrës, të tilla si rrahje të parregullta të zemrës dhe dështim të zemrës, ankth dhe pagjumësi.
Një përmbledhje e vitit 2023 mbi ndikimin e pijeve energjike në trup theksoi rreziqe të shumta, si:
– Aritmitë kardiake.
– Ndryshimet neurologjike dhe të sjelljes.
– Inflamacion akut i organeve, duke përfshirë mëlçinë, stomakun, pankreasin dhe veshkat.
– Rastet e dermatitit të rrallë ose çrregullimeve autoimune.
Pijet energjike nuk duhet të zëvendësojnë gjumin, ujin dhe vaktet ushqyese. Ju gjithashtu duhet të shmangni konsumimin e më shumë se 400 mg kafeinë në ditë, veçanërisht nëse keni sëmundje kronike. /Gazeta Shneta/


