Një përbërës natyral i gjetur në ullinj u tregua se ul nivelin e sheqerit në gjak dhe nxit humbjen e peshës tek minjtë. Studiuesit shpresojnë se gjetjet paraklinike mund të çojnë në trajtime të reja për diabetin dhe mbipeshën.
Prevalenca e obezitetit dhe diabetit në Shtetet e Bashkuara po rritet me ritme alarmante, duke nënvizuar nevojën për mjekime të reja, shkruan burimi Health News përcjell Gazeta Shneta.
Agonistët e receptorit GLP-1 si Ozempic dhe Wegovy janë shumë efektivë në rregullimin e glukozës dhe shtypjen e oreksit, duke çuar në humbje të konsiderueshme në peshë, por janë të papërballueshëm për shumë njerëz dhe janë të lidhura me efekte anësore.
Gjetjet e reja të studimit të paraqitura në “Nutrition 2024”, takimi kryesor vjetor i Shoqatës Amerikane mbi Ushqimin mund të lehtësojnë zhvillimin e produkteve natyrore të sigurta dhe të lira për menaxhimin e obezitetit dhe diabetit të tipit 2 te njerëzit.
Në studim, studiuesit filluan të identifikojnë komponimet natyrore që veprojnë në qelizat L, të cilat përmbajnë dy hormone metabolike të lëshuara gjatë një vakti. Këto hormone, të quajtura GLP-1 dhe PYY, nxisin ngopjen duke kontrolluar gjithashtu nivelet e sheqerit në gjak dhe metabolizmin.
Acidi elenolik, i cili gjendet në ullinjtë e pjekur dhe vajin e ullirit ekstra të virgjër, u tregua se nxit lirimin e këtyre hormoneve në zorrë.
Pas vetëm një jave të marrjes së acidit elenolik oral, minjtë obezë pësuan ulje të ndjeshme të peshës dhe rregullim më të mirë të sheqerit në gjak sesa para trajtimit, krahasuar me minjtë obezë që nuk merrnin acid elenolik.
Efekti i uljes së glukozës ishte i krahasueshëm me atë të ilaçeve diabetike liraglutide, një lloj agonisti i receptorit GLP dhe më i mirë se metformina, një nga ilaçet më të zakonshme orale për diabetin e tipit 2.
“Në përgjithësi, studimi tregoi se acidi elenolik nga ullinjtë ka efekte premtuese në çlirimin e hormoneve dhe shëndetin metabolik. Komponimi duket se imiton kushtet fiziologjike të të ngrënit për të nxitur drejtpërdrejt sekretimin e hormoneve metabolike të zorrëve, i cili ndihmon në rregullimin e ekuilibrit të energjisë dhe shëndetin metabolik”, tha udhëheqësi i ekipit hulumtues, Dr. Dongmin Liu, PhD, një profesor nga Virxhinia Tech.
Vetëm ullinjtë nuk do ta trajtojnë diabetin
Megjithatë, studimi u krye në minj, që do të thotë se acidi elenolik mund të mos japë të njëjtat efekte te njerëzit për sa i përket sigurisë dhe efektivitetit. Edhe nëse ndodh, mund të duhen disa vite që ilaçi i ri të jetë i disponueshëm për publikun.
Për më tepër, përqendrimi i acidit elenolik në vaj ulliri ose në ullinj është shumë i ulët, kështu që përfitimet e vërejtura në këtë studim me shumë mundësi nuk do të përfitoheshin vetëm nga produktet e ullirit.
Prandaj, mos u përpiqni të zëvendësoni medikamentet tuaja për obezitetin ose diabetin e tipit 2 me ullinj ose vaj ulliri, pasi mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore.
Megjithatë, ullinjtë janë një lëndë ushqyese dhe një element kryesor i dietës mesdhetare, një nga më të shëndetshmet në botë. Ato janë të mbushura me yndyra të pangopura, fibra dhe vitaminë E.
Ullinjtë janë gjithashtu të pasur me disa fitokemikale që janë të rëndësishme për forcimin e sistemit imunitar dhe parandalimin e dëmtimit të ADN-së, ndër funksione të tjera. /Gazeta Shneta/


