Recetat e barnave si Ozempic për njerëzit me obezitet, por pa sëmundje të diabet të tipit 2 janë rritur në vitet e fundit.
Me obezitetin që prek deri në 40% të amerikanëve, kërkesa në rritje për recetat GLP-1RA për humbje peshe mund të kontribuojë në mungesat e barnave dhe të përkeqësojë pabarazitë ekzistuese racore dhe etnike në aksesin e ilaçit, sipas raportit të shkurtër kërkimor të botuar në “Annals of Internal Medicine”, raporton Health News përcjell Gazeta Shneta.
GLP-1RA përfaqësojnë agonistët e receptorit të peptidit 1 të ngjashëm me glukagonin, një klasë e re barnash e zhvilluar fillimisht për diabetin e tipit 2. Për shkak se ilaçet shtypin oreksin dhe ndihmojnë në reduktimin e marrjes së ushqimit, ato përdoren gjithnjë e më shumë për humbje peshe, shpesh jashtë etiketës.
Popullariteti i këtyre barnave u rrit ndjeshëm vitet e fundit pasi të famshëm si miliarderi i teknologjisë Elon Musk dhe personaliteti televiziv Oprah pranuan se kishin përdorur GLP-1RA për t’u dobësuar.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) miratoi disa nga barnat GLP-1RA, duke përfshirë Ozempic, Rybelsus dhe Victoza, për kontrollin e glukozës në gjak në pacientët me diabet të tipit 2. GLP-1RA të tjera si Wegovy, Saxenda dhe Mounjaro janë të destinuara për humbje peshe.
Studimi i ri zbuloi se përqindja e përdoruesve pa indikacione të miratuara nga FDA u rrit nga 0.21% në 2019 në 0.37% në 2023.
Në vitin 2019, semaglutidi (Ozempic, Wegovy, Rybelsus) dhe liraglutidi (Saxenda, Victoza) përbënin përkatësisht 31.4% dhe 35.3% të të gjitha recetave të reja GLP-1RA. Në vitin 2023, këto proporcione u rritën në 88.1% për semaglutidin dhe u ulën në 10.3% për liraglutidin, zbuloi studimi i ri. /Gazeta Shneta/


