Një studim i fundit i kryer në Australinë Jugore ka zbuluar se rreth një e katërta e pacientëve të diagnostikuar me kancer të prostatës kërkojnë mbështetje psikologjike.
Në këtë studim, i cili përfshiu mbi 13 mijë persona, u zbulua se pacientët me kancer të prostatës shpesh kanë nevojë për barna psikotrope dhe mbështetje psikologjike gjatë dhe pas procesit të diagnostikimit, shkruan NIH, transmeton Gazeta Shneta.
Kanceri i prostatës është një nga tumoret më të zakonshme te meshkujt. Edhe pse nivelet e mbijetesës janë të larta, studimet kanë treguar se problemet e shëndetit mendor që lidhen me këtë diagnozë janë një nevojë ende e paplotësuar. Specialistët raportojnë se shkalla e depresionit klinik dhe vetëvrasjes është dukshëm më e lartë tek këta pacientë sesa në popullatën e përgjithshme.
Tenaw Tiruye dhe kolegët e tij nga një universitet australian, të cilët kryen këtë studim, analizuan të dhënat e 13,693 pacientëve australianë të diagnostikuar me kancer të prostatës. Ata vëzhguan se përdorimi i barnave psikotrope dhe kërkesa për mbështetje psikologjike ishte më e lartë para dhe menjëherë pas diagnostikimit, por u ulën më vonë.
Stresi, problemet e përshtatjes, çrregullimet e gjumit, efektet anësore të trajtimeve, frika nga rikthimi i sëmundjes, cilësia e ulur e jetës dhe stresi financiar janë disa nga faktorët që mund të ndikojnë në shëndetin mendor të pacientëve me kancer të prostatës. Studime të tjera janë të nevojshme për të hetuar më thellë këto faktorë dhe për të përmirësuar mbështetjen për këta pacientë./Gazeta Shneta/


