Më shumë se 430 njerëz kanë vdekur nga kolera muajin e kaluar, ka thënë Ministria e Shëndetësisë së Sudanit, ndërsa lufta civile vazhdon të shkatërrojë vendin.
Numri i infeksioneve është rritur në rreth 14,000 thuhet në një deklaratë, raporton BBC Health përcjell Gazeta Shneta.
Ministria ka thënë se po bënte gjithçka që mundej për të “luftuar kolerën në shtetet e prekura, mes rritjes së infeksioneve”.
Marrja e trajtimit në ato zona të prekura është jashtëzakonisht e komplikuar nga konflikti i cili ka vrarë deri në 150,000 njerëz që nga fillimi i vitit të kaluar, sipas të dërguarit special të SHBA për Sudanin, Tom Perriello.
Organizata bamirëse mjekësore “Médecins Sans Frontières”, raportoi se ata janë “të penguar rregullisht nga të dyja palët ndërluftuese, përgjigja humanitare mbetet shumë më e ulët se ajo që nevojitet”.
Në një raport të ri, të kësaj organizate thonë se sistemi shëndetësor i Sudanit është shembur dhe se gratë shtatzëna dhe fëmijët e porsalindur po vdesin në një numër “tronditës”.
Sudani është përfshirë në një luftë që kur ushtria dhe një grup i fuqishëm paraushtarak, Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), filluan një luftë të egër për pushtet në prill 2023, duke çuar në atë që OKB e ka quajtur një nga krizat më të këqija humanitare në botë.
Kolera është një sëmundje me zhvillim të shpejtë dhe shumë ngjitëse. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) mund të shkaktojë diarre, dehidrim dhe vdekje. Është relativisht e lehtë për t’u kuruar, por trajtimi i shpejtë është thelbësor.
Ministri i Shëndetësisë, Haitham Mohammed Ibrahim, deklaroi një shpërthim kolere në mes të gushtit. Si dhe lufta, reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet kanë kontribuar gjithashtu në shpërthimin e kolerës, të shoqëruar nga grumbullimi i popullatës në kampet e zhvendosjes. /Gazeta Shneta/




