Ekspertët e shëndetësisë në Suedi kanë lëshuar rekomandime të reja për përdorimin e pajisjeve dixhitale nga fëmijët, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme negative të kohës së tepërt para ekranit në zhvillimin e tyre.
Agjencia Suedeze e Shëndetit Publik rekomandon që fëmijët nën dy vjeç të mos përdorin fare celularë dhe pajisje të tjera dixhitale, për të shmangur rreziqet që lidhen me gjumin e dobët, problemet e shëndetit mendor dhe pasoja të tjera afatgjata, shkruan Associated Press, transmeton Gazeta Shneta.
Për fëmijët e moshës dy deri në pesë vjeç, sugjerohet që koha para ekranit të kufizohet në maksimum një orë në ditë, ndërsa për ata të moshës gjashtë deri në 12 vjeç, rekomandohet një kufi prej një ose dy orësh në ditë. Ndërsa për adoleshentët, koha e lejuar para ekranit është jo më shumë se tre orë në ditë, me theksin që pajisjet dixhitale të mos përdoren para gjumit dhe të mbahen jashtë dhomës së gjumit gjatë natës.
Sipas të dhënave, adoleshentët në Suedi kalojnë mesatarisht gjashtë orë e gjysmë në ditë para celularëve të tyre, ndërsa në Shtetet e Bashkuara, kjo shifër arrin në 8 orë e 39 minuta në ditë. Ky përdorim i tepërt po ndikon negativisht në aktivitetin fizik, mbledhjet familjare dhe gjumin, duke çuar në atë që ekspertët e quajnë “kriza e gjumit” midis të rinjve.
Studime të shumta tregojnë se përdorimi i tepruar i teknologjisë është i lidhur me depresionin, problemet me gjumin dhe pakënaqësinë me pamjen trupore. Hulumtimi tregon se foshnjat që kalojnë shumë kohë para ekraneve mund të përjetojnë sjellje shqisore atipike, të lidhura me çrregullime si autizmi dhe ADHD. Po ashtu, përdorimi i tepruar i ekraneve mund të dëmtojë zhvillimin emocional të fëmijëve, pasi ata nuk ndërveprojnë sa duhet me njerëzit përreth tyre, duke ndikuar në aftësinë për të rregulluar emocionet.
Ekspertët theksojnë rëndësinë e kufizimit të kohës para ekranit dhe përfshirjen e fëmijëve në aktivitete të tjera që ndihmojnë zhvillimin e tyre të shëndetshëm./Gazeta Shneta/


