Fëmijët e lindur nëpërmjet teknologjisë së riprodhimit të asistuar, siç është fekondimi in vitro, përballen me një rrezik 36% më të lartë për defekte kardiake krahasuar me ata të lindur në mënyrë natyrale. Ky përfundim u arrit nga një studim i publikuar në European Heart Journal, që synon të ndihmojë në identifikimin dhe trajtimin më të hershëm të këtyre gjendjeve.
Koordinatorja e studimit, Ulla-Britt Wennerholm nga Universiteti i Goteborgut, Suedi, shpjegon: “Studimet e mëparshme kanë treguar se fëmijët e konceptuar me riprodhim të asistuar kanë më shumë gjasa të lindin parakohe ose me peshë më të ulët. Kësaj radhe, u përpoqëm të hetojmë nëse rreziku për defekte kardiake është më i lartë tek këta fëmijë, shkruan Nature, transmeton Gazeta Shneta.
Studimi, që përfshiu rreth 7.7 milionë fëmijë të lindur në vendet nordike midis viteve 1984 dhe 2015, krahasoi të dhënat mes fëmijëve të lindur nga riprodhimi i asistuar dhe atyre të konceptuar në mënyrë natyrale. Rezultatet treguan se defektet kardiake ishin rreth 36% më të zakonshme në grupin e parë (1.84% kundrejt 1.15%), veçanërisht në rastet e lindjeve të shumëfishta.
Wennerholm shton se faktorët e përbashkët të infertilitetit te prindërit mund të ndikojnë në shfaqjen e këtyre sëmundjeve tek fëmijët. “Riprodhimi i asistuar po përdoret gjithnjë e më shumë, prandaj mund të presim një rritje të defekteve kongjenitale të zemrës në mbarë botën,” thekson ajo.
Këto defekte mund të jenë serioze dhe shpesh kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale që në moshë të hershme. Njohja e faktorëve të rrezikut për defekte kardiake që në fillim ndihmon në diagnostikimin dhe ndërhyrjen e shpejtë për fëmijët e prekur, duke rritur kështu shanset për përmirësim të shëndetit të tyre./Gazeta Shneta/


