Sipas një studimi të Shoqatës Kombëtare të Ekzemës (NEA), dermatiti atopik nuk është vetëm një sëmundje e lëkurës, por një gjendje që mund të rrisë rrezikun për depresion, ankth dhe probleme të tjera të shëndetit mendor.
Studimi tregon se 42% e pacientëve me këtë gjendje dhe kujdestarëve të fëmijëve e adoleshentëve nuk kanë diskutuar kurrë me mjekët mbi ndikimin e saj në shëndetin mendor. Po ashtu, gjysma e pacientëve nuk pyeten për mirëqenien e tyre emocionale gjatë vizitave mjekësore, shkruan NIH, transmeton Gazeta Shneta.
Probleme si ndjesia e turpit dhe shqetësimet nga pagjumësia për shkak të kruarjes përkeqësojnë situatën e pacientëve, duke krijuar një rreth vicioz të përkeqësimit të shëndetit mendor. Edhe pse mbështetja psikologjike nuk është pjesë e trajtimit standard, ekspertët theksojnë rëndësinë e integrimit të saj në trajtimin e ekzemës. “Kur lëkura ka probleme, pacientët ndihen të parehatshëm dhe përjetojnë ankth, stres që përkeqësojnë inflamacionin e lëkurës”, shprehet Dr. Peter Lio nga Universiteti Northwestern.
Sipas studimit, vetëm 36% e të rriturve dhe kujdestarëve janë drejtuar tek burimet e shëndetit mendor, me këshillimin dhe terapinë kognitive si mbështetjet më të zakonshme. Ky studim sjell në vëmendje rëndësinë e qasjes holistike ndaj dermatitit atopik dhe përforcon nevojën që pacientët dhe kujdestarët të flasin hapur me mjekët për ndikimet e sëmundjes në shëndetin e tyre mendor./Gazeta Shneta/


