Për pacientët e rinj me demencë, mbajtja e një rutine ushtrimesh lidhet me një rrezik 29 për qind më të ulët të vdekjes në vitet pas diagnostikimit, sipas një studimi të ri të botuar në “British Journal of Sports Medicine”.
Aktualisht nuk ka kurë për demencën dhe trajtimet janë të kufizuara, por disa faktorë të stilit të jetesës, si dieta ushqyese, stërvitja dhe gjumi i mirë, duket se luajnë një rol në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes së dëmtimit të trurit, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Analiza e re përfshiu më shumë se 60,000 njerëz në Korenë e Jugut, të cilët u diagnostikuan me demencë midis 2010 dhe 2016 dhe iu nënshtruan kontrolleve mjekësore dy vjet para dhe pas diagnozës së tyre.
Mosha mesatare e tyre ishte 74. Shumica e njerëzve kishin sëmundjen e Alzheimerit, ndërsa 12.5 për qind kishin demencë vaskulare, e cila ndodh kur një goditje bllokon një arterie në tru.
Studiuesit nga universitetet koreane dhe amerikane i ndanë pjesëmarrësit në katër kategori bazuar në mënyrën se si ushtroheshin rregullisht: ata që mbanin një rutinë ushtrimesh (rreth 3.5 për qind), ata që filluan të ushtroheshin gjatë periudhës së studimit (8 për qind), ata që ndaluan së ushtruari gjatë asaj kohe (rreth 10 për qind), dhe ata që nuk ushtroheshin përpara diagnozës – dhe nuk ndryshuan zakonet e tyre më pas (78 për qind).
Gjatë ndjekjes gati katërvjeçare, 27.3 për qind e njerëzve vdiqën – por ata me një rutinë të rregullt stërvitjeje para dhe pas diagnozës së demencës kishin shumë më pak gjasa të vdisnin nga ndonjë shkak.
Pacientët me demencë që mbanin rutinat e tyre të stërvitjes kishin një rrezik 29 për qind më të ulët të vdekjes, ndërsa ata që filluan të ushtroheshin pas diagnozës kishin të paktën 20 për qind rrezik më të ulët.
“Ne e dimë se gjysma e rasteve të demencës në të gjithë botën mund të vonohen ose parandalohen përmes ndryshimeve në stilin e jetës, por ky studim sugjeron se sa i dobishëm mund të jetë aktiviteti fizik për ata që tashmë përjetojnë simptoma të demencës,” tha Dr. Richard Oakley, drejtor i asociuar kërkimor dhe inovacionit në Shoqatën e Alzheimerit me bazë në Mbretërinë e Bashkuar. /Gazeta Shneta/


