Autoritetet shëndetësore thanë se rreziku për publikun e gjerë mbetet i ulët.
Rasti i ri i mpox është identifikuar në Londër dhe pacienti është shtruar në spital. Pacienti kohët e fundit kishte udhëtuar në vendet afrikane, sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA), raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
“Rreziku për popullsinë në Mbretërinë e Bashkuar mbetet i ulët dhe ne po punojmë me shpejtësi për të gjurmuar kontaktet e ngushta dhe për të zvogëluar rrezikun e çdo përhapjeje të mundshme”, tha kryekëshilltarja mjekësore e UKHSA, Susan Hopkins.
Mpox përhapet përmes kontaktit të ngushtë personal, duke përfshirë marrëdhëniet intime, dhe simptomat e infeksionit përfshijnë skuqje, ethe, të dridhura dhe ënjtje të nyjeve limfatike.
Fillimisht ky infeksion u shfaq në Republikën Demokratike të Kongos (DRC) vjeshtën e kaluar dhe që atëherë është zbuluar në Burundi, Ruanda, Ugandë dhe Kenia.
Pacienti në Mbretërinë e Bashkuar është rasti i tretë i llojit të ri mpox të zbuluar në Evropë, me të parin në Suedi në muajin gusht dhe të dytin në Gjermani në fillim të këtij muaji. Në atë kohë, autoritetet shëndetësore evropiane thanë se ndërsa prisnin të shfaqeshin më shumë raste, rreziku për publikun mbeti i ulët. /Gazeta Shneta/




