Gjykata Themelore në Gjilan e ka shpallur të pafajshëm logopedin Iljasa Fazliu për veprën e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor.
Asociacioni Nacional i Autizmit në Kosovë ka reaguar ndaj këtij vendimi, duke thënë që vendimi “përbën një goditje të rëndë për sigurinë e fëmijëve, besimin e prindërve dhe respektimin e standardeve etike nga profesionistët që punojnë me persona me nevoja të veçanta në Kosovë”,
Vendimi për shpalljen e pafajësisë së këtij logopedi është mbështetur në raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, i cili konstatoi se gjuha e përdorur nga Iljasa Fazliu nuk kishte ndikuar negativisht në gjendjen shëndetësore të vajzës. Ky vlerësim është bërë pa u takuar asnjëherë komisioni me fëmijën dhe pa kryer ndonjë ekzaminim të drejtpërdrejtë. Për më tepër, gjuha e përdorur në këtë vendim është tejet stigmatizuese ndaj personave me autizëm”, thuhet në reagim.
Postimi i plotë:
Në vitin 2022, të gjithë u tronditëm nga një audio-inçizim që dëshmoi trajtimin çnjerëzor nga një logoped ndaj një vajze 3-vjeçare me autizëm.
Ditë më parë, Gjykata Themelore në Gjilan shpalli të pafajshëm logopedin Iljasa Fazliu për veprën penale “Trajtimi i pa ndërgjegjshëm mjekësor”. Ky vendim përbën një goditje të rëndë për sigurinë e fëmijëve, besimin e prindërve dhe respektimin e standardeve etike nga profesionistët që punojnë me persona me nevoja të veçanta në Kosovë.
Vendimi për shpalljen e pafajësisë së këtij logopedi është mbështetur në raportin e Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës, i cili konstatoi se gjuha e përdorur nga Iljasa Fazliu nuk kishte ndikuar negativisht në gjendjen shëndetësore të vajzës. Ky vlerësim është bërë pa u takuar asnjëherë komisioni me fëmijën dhe pa kryer ndonjë ekzaminim të drejtpërdrejtë. Për më tepër, gjuha e përdorur në këtë vendim është tejet stigmatizuese ndaj personave me autizëm.
Në një pjesë të raportit thuhet se “fëmijët nën moshën 5-vjeçare kanë vështirësi në të kuptuarit e se edhe njerëzit tjerë posedojnë mendime, ndjenja, qëllime të cilat mund të dallojnë nga ato të tyre personale, e posaçërisht fëmijët autistikë këto vështirësi i kanë shumë më të shprehura, që pamundëson të parashikojnë apo kuptojnë veprimet e personave të tjerë.” Ky pohim lë të kuptohet se dhuna verbale e ushtruar ndaj vajzës arsyetohet në njëfarë mënyre, pasi, sipas këtij komisioni, fëmijët me autizëm nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë. Kësisoj ky vendim ka normalizuar dhunën ndaj vajzës si dhe në përgjithësi dhunën ndaj fëmijëve me autizëm apo me nevoja të tjera të veçanta.
Fëmijët me autizëm janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj zërave të lartë dhe ndaj situatave stresuese që mund të mbeten të fiksuara në kujtesën e tyre, duke ndikuar negativisht në vetëvlerësimin, sigurinë dhe përparimin e tyre afatgjatë.
Edhe prokuroria ka kundërshtuar këtë ekspertizë, duke argumentuar se është hartuar nga ekspertë joadekuatë. Në aktakuzë është përmendur edhe deklarata problematike e kryetares së komisionit, e cila ka thënë se komisioni nuk ka llogaritur zërin e fëmijës si britmë. Kështu, prokuroria ka theksuar se raporti nuk i përmbush standardet e nevojshme për të qenë i besueshëm.
Vlen të theksohet se vajza në fjalë, pas përjetimit të këtij incidenti, ka marrë mbështetje intensive terapeutike në ANAK, ku është punuar për të rikuperuar besimin e saj dhe për të nxitur zhvillimin e saj të përgjithshëm.
Është e papranueshme që logopedi Iljasa Fazliu edhe sot vazhdon të shërbejë si logoped në QKUK. Ne i bëjmë thirrje institucioneve të drejtësisë që të rishikojnë këtë rast me urgjencë, duke siguruar një proces të drejtë dhe transparent.




