Një nga sfidat më të mëdha globale të shëndetit publik është rritja e shqetësimeve mendore tek adoleshentët. Statistikat tregojnë se 1 në çdo 7 adoleshentë në botë përballet me një çrregullim mendor të diagnostikuar. Në Evropë, më shumë se 11 milionë të mitur përballen me këto probleme, ndërsa konsultimet neuropsikiatrike në qendrat e urgjencave janë rritur me 500% në dekadën e fundit.
Rrjetet sociale janë identifikuar si një nga faktorët kryesorë që ndikojnë negativisht në shëndetin mendor të të rinjve. Shkenca ka konfirmuar se varësia ndaj teknologjisë dhe rrjeteve sociale aktivizon të njëjtat zona cerebrale si drogat, duke shkaktuar efekte të ngjashme negative në tru. Këto ndikime përkeqësojnë ndjenjat e izolimit, frustrimit dhe mungesës së vëmendjes, duke shtuar rrezikun e depresionit dhe vetëvrasjeve, shkruan US News, transmeton Gazeta Shneta.
Vetëvrasjet janë bërë shkaku i dytë kryesor i vdekjeve tek të miturit në nivel global. Këto tragjedi shpesh burojnë nga problemet e padiagnostikuara ose të pamenaxhuara të shëndetit mendor, duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjes së hershme dhe mbështetjes sociale.
Organizatat ndërkombëtare dhe komuniteti shkencor kërkojnë masa urgjente për të adresuar dobësitë psikologjike të fëmijëve. Shmangia e stigmës sociale dhe kulturore është thelbësore për të shpëtuar mirëqenien dhe të ardhmen e brezit të ri. Prindërit, edukatorët dhe politikat publike duhet të fokusohen në mbështetjen emocionale dhe kontrollin e ndikimit të teknologjisë në jetën e të rinjve./ Gazeta Shneta/


