Dy pacientë, të paralizuar për shkak të dëmtimeve të rënda në shtyllën kurrizore, kanë arritur të ecin distanca të shkurtra dhe të ngjisin shkallët pas vendosjes së elektrodave në trurin e tyre.
Kjo arritje u mundësua falë një metode inovative të quajtur stimulimi i thellë i trurit, e cila “rizgjon” fibrat nervore të fjetura dhe rikthen kontrollin e muskujve, shkruan BBC, transmeton Gazeta Shneta.
Historia e Wolfgang Jaeger
Njëri prej pacientëve, Wolfgang Jaeger, 54 vjeç, theu shtyllën kurrizore në një aksident gjatë skijimit në vitin 2006. Pas implantimit të elektrodave dy vite më parë dhe një programi intensiv fizioterapie, ai ka filluar të ecë dhe të kryejë veprime bazike.
“Nëse dua, mund të eci pak ose të ngjitem e zbres shkallët. Teknologjia po përmirësohet dhe shpresoj që në të ardhmen të mos kemi më nevojë për karrige me rrota,” tha ai për Sky News. “Është rrugë e gjatë, por mendoj se ëndrra realizohet.”
Kjo arritje vjen pas kërkimeve të The Swiss Federal Technology Institute në Luzanë. Përdorimi i Inteligjencës Artificiale ndihmoi në hartimin e neuroneve të trurit që kontrollojnë lëvizjen te brejtësit. Kërkimet zbuluan se hipotalamusi lateral, një zonë e lidhur me motivimin dhe eksitimin, ka gjithashtu rol kyç në ecje.
Pas suksesit te brejtësit, teknika u implementua te pacientët, duke përdorur elektrodën për të stimuluar trurin në mënyrë precize. Kjo metodë është përdorur edhe më parë për të kontrolluar dridhjet te pacientët me Parkinson.
Neuroshkencëtari Gregoire Courtine, i cili udhëhoqi ekipin, deklaroi:
“Kërkimi tregon se truri mund të rigjenerohet nga paraliza. Zbuluam një zonë të vogël të tij që mund të aktivizohet për të rritur rikuperimin neurologjik.”
Edhe pse pacientët nuk janë shëruar plotësisht dhe përdorin një bastun për ecje, kjo arritje dëshmon potencialin për rikthimin e lëvizjes. Studiuesit shpresojnë se përmirësimet e mëtejshme do t’u mundësojnë pacientëve ecje më të shpejtë dhe më të gjatë./ Gazeta Shneta/


