Pirja e kafesë lidhet me një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme, sipas një numri gjithnjë në rritje të studimeve.
Kafja është ndoshta pija më e popullarizuar në botë, me rreth 2 miliardë filxhanë që konsumohen çdo ditë në mbarë globin. Gjatë viteve, shumë studime kanë trajtuar efektet e mundshme pozitive dhe negative të kafesë në shëndet, shkruan Medical News, transmeton Gazeta Shneta.
Një rishikim i ri nga studiuesit e Universitetit të Koimbras në Portugali, i financuar nga Instituti për Informacion Shkencor mbi Kafenë (ISIC), tregon se pirja e kafesë rregullisht mund të shtojë mesatarisht 1.8 vite jetë të shëndetshme në jetën e një personi.
Kafja përmban lëndë ushqyese dhe antioksidantë, të cilët mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundje të ndryshme, si diabeti i tipit 2, sindroma metabolike, sëmundjet e mëlçisë dhe obeziteti.
Megjithatë, disa studime tregojnë gjithashtu për efektet e mundshme negative të konsumimit të rregullt të kafesë, si rritja e ankthit, shkaktimi i migrenës, probleme me gjumin dhe shqetësime gastrointestinale.
Çfarë tregoi studimi i ri?
Rishikimi, i publikuar në revistën Ageing Research Reviews, përfshiu literaturën ekzistuese mbi efektet e kafesë në shëndet. Ai sugjeron se konsumimi i moderuar i kafesë mund të kontribuojë në një jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme./Gazeta Shneta/


