Miliona të rritur amerikanë po përballen me COVID-in e zgjatur dhe një e pesta prej tyre kanë simptoma aq dëmtuese sa ndërhyjnë në aktivitetet e tyre të përditshme, sipas një raporti të ri.
“Simptomat që raportohen më shpesh përfshijnë lodhje që ndërhyn në jetën e përditshme, vështirësi në të menduarit ose përqendrimin, kollë dhe rrahje të shpejta zemre,” shpjegoi një ekip studiuesish në Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) në SHBA.
Sipas CDC-së, COVID-i i zgjatur mund të përfshijë “një gamë të gjerë simptomash të vazhdueshme,” si lodhje, mjegull mendore, ndjenjë rraskapitjeje pas ushtrimeve fizike, kollë, vështirësi në frymëmarrje, probleme me gjumin, depresion/ankth, dhimbje kyçesh dhe probleme gastrointestinale, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
“Pjesa më e madhe e njerëzve me simptoma të COVID-it të zgjatur përmirësohen ndjeshëm pas 3 muajsh, ndërsa të tjerët mund të përmirësohen deri në 6 muaj pas shfaqjes së simptomave,” theksoi CDC.
Sa i përhapur është COVID-i i zgjatur?
Në një studim të ri, studiuesit e udhëhequr nga Nicole Ford nga Qendra Kombëtare për Imunizim dhe Sëmundje Respiratore të CDC-së analizuan të dhëna federale të vitit 2023 mbi të rriturit amerikanë.
Ata zbuluan se rreth 1 në çdo 16 të rritur (6.4%) të anketuar raportuan se aktualisht po vuajnë nga COVID-i i zgjatur i cili u përcaktua si prania e simptomave të vazhdueshme për 3 muaj ose më shumë pas një infektimi me COVID-19.
Nga ata me COVID të zgjatur, 19.8% “raportuan kufizime të mëdha në aktivitetet për shkak të simptomave të tyre,” raportoi grupi i Ford.
Kjo do të thotë që aktivitete të përditshme si ecja, ushtrimet fizike, blerjet, punët e shtëpisë dhe të tjera ishin “shumë” të kufizuara nga simptomat e vazhdueshme të COVID-it të zgjatur, thanë autorët.
E gjithë kjo tregon se shumë amerikanë me COVID të zgjatur “mund të kenë nevojë për mbështetje shtesë për të ndihmuar në rikuperimin e tyre, si burime të kujdesit shëndetësor dhe përshtatje në vendin e punës,” tha ekipi i CDC-së.
Gjetjet u publikuan më 19 dhjetor në revistën e CDC-së të “Morbidity and Mortality Report”. /Gazeta Shneta/


