Pjesëza mikroskopike plastike në ajër mund të kontribuojnë në një sërë problemesh shëndetësore, duke përfshirë kancerin e mushkërive dhe të zorrës së trashë.
Gomat dhe mbetjet plastike që degradohen lëshojnë grimca të vogla plastike duke krijuar një formë ndotjeje ajri që nuk është kuptuar plotësisht, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
“Këto mikroplastika janë në thelb ndotje e ajrit nga grimcat dhe ne e dimë që ky lloj ndotjeje është e dëmshme,” tha studiuesja Tracey Woodruff, profesore e obstetrikës, gjinekologjisë dhe shkencave riprodhuese në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko.
Kompanitë nga e gjithë bota prodhojnë pothuajse 460 milionë tonë plastikë çdo vit, dhe kjo shifër parashikohet të rritet në 1.1 miliard tonë deri në vitin 2050, sipas studiuesve.
Një burim kryesor i plastikës janë automjetet, vunë në dukje studiuesit. Gomat konsumohen gjatë fërkimit me sipërfaqen e rrugës, duke lëshuar mikroplastikë në ajër.
Në përmbledhjen, e publikuar më 18 dhjetor në revistën “Environmental Science & Technology”, studiuesit analizuan të dhëna të mbledhura nga rreth 3,000 studime të mëparshme.
Rezultatet treguan se mikroplastika në ajër mund të kontribuojnë në kancer, probleme me mushkëritë dhe infertilitet.
Shumica e studimeve të shqyrtuara u kryen me kafshë, por studiuesit thanë se përfundimet ka të ngjarë të vlejnë edhe për njerëzit.
“Ne i bëjmë thirrje agjencive rregullatore dhe liderëve të politikave që të marrin në konsideratë provat në rritje të dëmeve shëndetësore nga mikroplastika, duke përfshirë kancerin e zorrës së trashë dhe të mushkërive,” tha studiuesi kryesor Nicholas Chartres, studiues i lartë në Universitetin e Sidneit. “Shpresojmë që liderët shtetërorë të marrin masa të menjëhershme për të parandaluar ekspozimet e mëtejshme”. /Gazeta Shneta/


