Kjo pason klasifikimin e aspartamit, një ëmbëlsues i zakonshëm, si “potencialisht kancerogjen për njerëzit” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Një peticion për ndalimin e ëmbëlsuesit artificial aspartam u lançua të martën nga organizata ndërkombëtare jofitimprurëse “Foodwatch”, Lidhja Franceze kundër Kancerit dhe kompania e aplikacionit mobil Yuka, raporton Euronews Health përcjell Gazeta Shneta.
Peticioni i drejtohet Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare të BE-së.
“Nuk ka kohë për të humbur. Mospërgjigjja e qeverive dhe e Evropës gjatë një viti e gjysmë është e patolerueshme,” tha në një deklaratë, Natacha Cingotti, nga Foodwatch International.
“Një aditiv me kaq shumë rreziqe nuk ka vend në ushqimin apo pijet tona,” shtoi ajo, duke i bërë thirrje vendimmarrësve evropianë të “na mbrojnë”.
Koalicioni tha se aspartami gjendet në më shumë se 2,500 produkte në Evropë, veçanërisht në ushqimet dhe pijet pa sheqer si Coca-Cola Zero, Pepsi Max dhe Sprite Zero.
Foodwatch bashkëpunoi me Yuka, një aplikacion mobil që skanon barkodet e produkteve ushqimore dhe kozmetike dhe i vlerëson ato bazuar në ndikimin e tyre në shëndet.
“95% e përdoruesve të Yuka thonë se kanë ndaluar blerjen e produkteve që përmbajnë aditivë të diskutueshëm falë aplikacionit,” tha Julie Chapon, drejtoreshë menaxhuese e Yukës.
Aplikacioni thotë se ka 45 milionë përdorues në Evropë.
Mesatarisht, 40% e evropianëve raportojnë se konsumojnë aspartam, me Spanjën, Belgjikën dhe Holandën që shfaqin nivele më të larta konsumi, sipas një sondazhi në shtatë vende të porositur nga Foodwatch.
Në të gjitha vendet, shumica e të anketuarve ranë dakord që aspartami duhet ndaluar si masë paraprake derisa të garantohet siguria e tij.
Aspartami u klasifikua si “potencialisht kancerogjen për njerëzit” nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) e OBSH-së në muajin korrik 2023. /Gazeta Shneta/


