Po, raste të rralla të problemeve me shikimin janë shfaqur tek personat që përdorin medikamentet e famshme për humbjen e peshës GLP-1, por ende nuk është e qartë nëse këto medikamente shkaktojnë probleme me sytë, sipas një studimi të vogël të ri.
Studimi i ri shqyrtoi rastet e nëntë personave që zhvilluan probleme me shikimin, siç janë disfunksioni i enëve të gjakut rreth nervit optik të syrit, pas përdorimit të një GLP-1, shkruan burimi Health Day përcjell Gazeta Shneta.
“Po mundohemi të kuptojmë nëse përdorimi i këtyre medikamenteve mund të rrisë rrezikun,” tha bashkautorja e studimit, Dr. Norah Lincoff. Ajo është një neuro-oftalmologe dhe profesoreshë e neurologjisë në Universitetin e Buffalo.
Studimi i publikuar së fundmi në revistën “JAMA Ophthalmology”, u përqendrua në nëntë pacientë, të gjithë në moshën 50-60 vjeçare, të cilët po përdornin GLP-1 si semaglutide (Wegovy/Ozempic) dhe tirzepatide (Mounjaro/Zepbound).
Shtatë nga nëntë pacientët zhvilluan një gjendje të njohur si neuropatia optike iskemike anteriore jo-arteritike (NAION). Kjo ndodh kur enët e gjakut nuk furnizojnë mjaftueshëm gjak në nervin optik, i cili është thelbësor për shikimin. Në NAION, dëmtimi i nervit mund të çojë në humbje të papritur dhe të përhershme të pjesës së shikimit.
Autori kryesor i studimit, Dr. Bradley Katz, nga Universiteti i Utah Health në Salt Lake City, e vuri re për herë të parë problemin tek një pacient që pati humbje të papritur dhe pa dhimbje të shikimit në një sy pas fillimit të përdorimit të semaglutidit. Pacienti e ndaloi përkohësisht përdorimin e medikamentit, por kur e rifilloi, humbja e shikimit ndodhi edhe në syrin tjetër.
Ndërsa shtatë nga nëntë pacientët dukeshin se kishin NAION, një tjetër pacient kishte zhvilluar një “makulopati” – në shikimin e tij pas përdorimit të një GLP-1. Një tjetër zhvilloi papillitis, inflamacion i kokës së nervit optik.
Hulumtuesit theksojnë se raste të rralla të NAION janë lidhur më parë me përdorimin e medikamenteve për disfunksionin erektil ose ilaçeve për lehtësimin e ritmeve të parregullta të zemrës.
Nga ana tjetër, sëmundjet kronike të zakonshme, siç janë diabeti, sëmundjet e zemrës ose obeziteti, janë gjithashtu të njohura për shkaktimin e problemeve me shikimin. Autorët theksojnë se të gjithë nëntë pacientët po përdornin një GLP-1 sepse luftonin me obezitetin dhe/ose diabetin.
Pra, nuk është e qartë nëse problemet me shikimin ishin të lidhura me përdorimin e një GLP-1 apo me ndonjë nga sëmundjet themelore që pacientët mund të kishin, thonë hulumtuesit. /Gazeta Shneta/


